​Deputetët mblidhen në dy seanca plenare të premten

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në dy seanca plenare të premten. Në një seancë të veçantë të zgjedhurve të popullit do t’iu adresohet presidentja Vjosa Osmani dhe menjëherë pas saj do të diskutohet miratimi në lexim të dytë i Projektligjit për paga.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se buxheti ka marrë “dritën e gjelbër” nga të gjitha komisionet dhe se i njëjti duhet të miratohet në Kuvend.
“Seanca për shqyrtimin në lexim të dytë të buxhetit të Kosovës për 2022 të mbahen të premten më datë 17 dhjetor në fillim prej orës 11:00. Kjo kërkesë ka ardhur pasi buxheti është trajtuar në gjitha komisionet funksionale, gjegjësisht ka marrë “dritën e gjelbër” dhe dëshirojmë që projektligjin më të rëndësishëm të vitit të diskutohet një ditë e tërë vetëm për projekt-buxhetin dhe pastaj javën e fundit të trajtojmë projektligje të tjera, në mënyrë që për vitin 2021 të kemi një agjendë legjislative të përmbushur. Gjithashtu në kryesi është prezantuar edhe kërkesa e presidentes për t’iu adresuar Kuvendit në fundvit dhe ky adresim do të mbahen të premten në fillim në orën 10:00 në seancë të veçantë”, tha ai.
Kritika për procedurën e vendosjes së seancës për buxhetin shprehu shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Ai kërkoi nga qeveria që të reflektojë lidhur me miratimin e amendamentit për pagat në sektorin publik.
“Ne e kontestuam procedurën dhe si çështje dhe rrethanë procedurale u pa se ka shumë ngecje, por në seancë ne do të prezantojmë qëndrimet tona, pasi miratimi i buxhetit është shumë i rëndësishëm, megjithëse ka lënë anash amendamentin e ligjit të pagave dhe shumë amendamenteve të tjera”, tha ai.
Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila foli edhe për reduktimet e energjisë dhe ndaljen e ngrohjes në Prishtinë, ku premtoi zgjidhje të problemeve.
“Kosova është vendi i fundit në rajon që është ballafaquar me probleme energjetike përderisa mos harrojmë se dy muaj më parë Shqipëria ka shpallur gjendjen emergjente. Ne jemi në kontakt me ministrinë relevante dhe ne do të përcjellim rrethanat, shpresojmë se shumë shpejtë do të sanohet si defekt në kuadër të Kosovës B”, tha ajo.
Opozitari, Besnik Tahiri kritikoi qeverinë edhe për metodat e saj për kursimin e energjisë elektrike.
“Nuk është edukative t’u thuhet qytetarëve të Kosovës kurseni rrymën sepse para 20 vjetëve na kanë thanë prindërit ndale dritën në banjë, ndale pllakën, ndale bojlerin. Ata duhet të punojnë ngushtë që të sigurojnë energji elektrike” , tha Tahiri.

Back to top button