​EULEX përkujton policin Šenavičius, ofron 82 mijë euro shpërblim për zbulimin e rastit

 

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), sot ka kujtuar zyrtarin doganor të EULEX-it, Audrius Shenaviqius, i cili ishte vrarë shtatë vjet më parë.

EULEX-i i ka bërë thirrje çdo personi që mund të ketë informata të cilat mund t’i dalin në ndihmë policisë që të paraqiten.

“Misioni ofron një shpërblim prej 82.000 euro për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e autorit (autorëve) të kësaj vrasje. Për detaje rreth raportimit të ndonjë informate lidhur me vrasjen e Audrius, ju lutem të kontaktoni +383 38 284 181”, ka njoftuar  EULEX-i.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ishte i pranishëm tek përmendorja e Audrius Shenaviqius, teksa ka theksuar se vrasja vazhdon të mbetet e pazgjidhur

“Sot ne qëndrojmë këtu në vendin ku kolegu ynë Audrius Šenavičius nga Lituania ishte vrarë para plot shtatë viteve”, tha Wigemark. “Ky krim ende nuk është zbardhur. Përkundër hetimeve të gjata, fillimisht nga vet EULEX-i, vrasja vazhdon të mbetet e pazgjidhur. Kur EULEX-i përfundoi mandatin e tij ekzekutiv në sektorin e drejtësisë në vitin 2018, lënda e këtij rasti të vrasjes është dorëzuar tek autoritetet prokuroriale të Kosovës. Ato tani janë duke e ndjekur rastin por ende pa rezultate”,  ka thënë ndër të tjera shefi i EULEX-it.

Gjatë ceremonisë për vendosjen e kurorës, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për burime në Policinë e Kosovës, Dejan Janković, tha “Ne ndjejmë respekt për kolegun tonë Audrius, si për secilin pjesëtar të Policisë së Kosovës që ka humbur jetën e vet duke i shërbyer popullit të Kosovës. Të veshur me uniformë policie, ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet nëpër të cilat kalojmë, sepse është nder që t’i shërbejmë popullit, por humbja e jetës së një kolegu i cili erdhi nga Lituania për të na ndihmuar ne këtu në Kosovë është edhe më e rëndë. Ne, zyrtarët e Policisë së Kosovës do të jemi përjetësisht mirënjohës për mbështetjen e tij, si dhe për sakrificën që e bëri ai, e ajo ishte jeta e tij.” Ai më tej shtoi: “Andaj, ne e kemi një përgjegjësi edhe më të madhe për të bërë çdo përpjekje për gjetjen e autorëve të këtij krimi dhe t’i sjellim ata para drejtësisë.”

Back to top button