Falsifikoi dokumentet për të përfituar nga pako emergjente, arrestohet
Një person është arrestuar sot nga policia në Ferizaj, pasi mashtroi dhe falsifikoi dokumente për të përfituar kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, për ndihmat me pakon fiskale emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit.
I arrestuari sipas policisë ishte pronar i një kompanie dhe dyshohet për kryerje të veprave penale “Mashtrimi me Subvencione” dhe “Falsifikimi i dokumentit”, pasi i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmat me Pakon Fiskale Emergjente për COVID-19, për shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit tjerë që regjistrojnë punëtorë me kontrata pune së paku një vjeçare nga njëqind e tridhjetë euro për dy muaj pasues pas regjistrimit, kishte lidhur disa kontrata pune (gjithsej 19-të) duke deklaruar në ATK se ka 19-të punëtorë të rinj dhe përfitimi nga kjo masë ishte 2,470.00 euro për një muaj, që gjithsej për dy muaj (mars-prill 2020) ishte 4940.00 euro.
“I dyshuari i lartcekur me iniciale nuk i kishte deklaruar pagat e punëtorëve në ATK dhe nuk i kishte kryer pagesat as të tatimit të mbajtur në burim as nuk kishte paguar kontributet e pensioneve. I njëjti edhe pasi parat e pakos emergjente u kishin dalë në xhirollogari të punëtorëve, u kishte bërë presion (personave të deklaruar si punëtor) që shumën prej 100€ për muaj t’ia japin atij, ndërsa pjesën prej 30€ ta ndalin për vete. Me këtë rast pjesa më e madhe e tyre kishin pranuar, ndërsa për ata që nuk kanë pranuar këtë ofertë, i dyshuar kishte përpiluar nga një faturë fiktive, duke e nënshkruar vetë në emër të blerësit, ku disa nga këto fatura ishin në vlerë deri 260.00€, në emër kompanisë kinse kanë marr material elektrik, e të njëjtat fatura (të falsifikuara) i kishte dorëzuar te përmbaruesi privat”, thuhet në komunikatë./21Media