​Fillon puna për ndryshimin e pakos ligjore në sistemin prokurorial

Në Ministrinë e Drejtësisë sot u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për ligjet e sistemit prokurorial, në të cilin ka marr pjesë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendësministrja Nita Shala, përfaqësues të institucioneve relevante, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Temë diskutimi gjatë këtij takimi ishte plotësim-ndryshimin dhe finalizimin e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës, atë për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës si dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit.
Ministrja tha se reforma në drejtësi ka qenë dhe mbetet prioritet i saj. Ndër aktivitetet e kësaj Ministrie, Haxhiu theksoi rolin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit.
“Ndër obligimet dhe rekomandimet të cilat dalin nga Strategjia, janë edhe reformat brenda sistemit prokurorial. Kriteret për të qenë anëtarë të Këshillit Prokurorial, përbërja e Këshillit Prokurorial, përfshirë heqjen e Kryeprokurorit nga Këshilli Prokurorial, rekrutimin dhe emërimin e prokurorëve bazuar në parimet e objektivitetit dhe konkurrencës si dhe rekomandime të tjera të cilat duhet të trajtohen nga ky grup punues” tha Haxhiu.
Për ministren, mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë, mungesë të llogaridhënies, ndikim politik dhe mungesë të rezultateve kualitative, mbetet shqetësuese dhe kjo duhet të ndryshojë dhe për këtë Ministria të cilën ajo e udhëheq, është e përkushtuar që të krijojë kushte dhe politika sa më të mira për organet e drejtësisë.
Haxhiu shprehu besimin e plotë që ka tek ky Grup Punues në adresimin rekomandimeve të cilat dalin nga Rishikimi Funksional dhe çështje të tjera me rëndësi, me qëllim që të garantohet një Këshill Prokurorial në shërbim të sistemit dhe drejtësisë dhe prokurorë dhe prokurori në shërbim të qytetarëve./21Media

Back to top button