​Haradinaj: 1 Maji Kosovën e gjen me të drejta të shkelura të punëtorëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se festa e 1 Majit punëtorët kosovarë i gjen në një situatë të rëndë dhe të lënë pas dore.
Haradinaj ka thënë se 1 Maji është dita kur punëtorët kërkojnë të drejtat e tyre, por kjo festë Kosovën sot e gjen me të drejta të nëpërkëmbura e të shkelura të punëtorëve.
“Pa Ligj të Pagave, pa rritje të pagave për këto një vit e sa, pa sigurim shëndetësor e pa shtesa të fëmijëve e pa shpresë për ditë më të mira. Dita e punëtorëve, punëtorët kosovarë i gjenë në një situatë të rëndë. Qindra mijëra punëtorë të sektorit privat pothuaj se janë lënë pasdore, ndërkohë që edhe sektori publik me këtë shtrenjtimin enorm të jetesës, e ka të vështirë ta lidh fillimin me fundin e muajit!”, ka thënë Haradinaj.
Tutje Haradinaj ka thënë se Qeveria duhet t’i lërë fjalët e t’iu kthejë dinjitetin punëtorëve.
“Urimi im për të gjithë punëtorët e Republikës së Kosovës në këtë 1 Maj është, Paçit ditë më të mira!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
1 maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës./21Media

Back to top button