​Haradinaj në Drenas flet për bashkimin me Shqipërinë

 

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka shpalosur edhe një herë idenë e tij për organizimin e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ai gjatë një takimi sot me strukturat e partisë në Drenas ka thënë se referendumi për bashkim nuk paraqet kërcënim për askënd.

“Shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme anëtarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj.

“Gjatë mandatit tim si kryetar i qeverisë, kam parë rrezikun se Kosova mundohej të paraqitet si e pa zonja për të zgjedhur punët e saj, pa Brukselin e pa negociatat me Serbinë. Ndërtova asokohe strategjinë time, që të pengoja qëllimin kryesor të këtij rreziku, që ishte ndarja e Kosovës. Ndërtuam murin kinez për Serbinë, respektivisht vendosëm taksën. Evituam pra, rrezikun e ndarjes së vendit dhe Kosovën e forcuam si partner serioz në rrafshin ndërkombëtar”, ka shtuar Haradinaj.

Ai ka thënë se si kandidat për president synon forcimin e sektorit të sigurisë, garantimin e funksionimit të inteligjencës, gjyqësorit, politikës së jashtme e detyra të tjera, në funksion të fuqizimit të atdheut tonë.

Haradinaj duke uruar suksese për kandidatët e Drenasit, ka shpalosur pikat kryesore të programit qeverisës të Aleancës, për vitet 2021 – 2025, “me theks të veçantë të fondit një miliardësh, që përfshihet në kuadër të planit ekonomik, e që dita ditës po përkrahet dhe promovohet si ide edhe nga partitë e tjera”.

Ai pas takimit me struktura, ka vizituar familjen e mikut të tij, rapsodit të ndjerë Tahir Qorri – Drenica, ku ka ndarë medaljen “Me besim në Zot, atdhe e shtet” (post-mortem), për kontributin e tij për çështjen kombëtare.

Back to top button