​Hendboll, përballje shumë interesante në xhiron e katërt të Superligës

Pas pushimit për shkak të aktiviteteve me ekipet kombëtare, këtë mesjavë zhvillohet xhiroja e ardhshme në Superligën e Kosovës në hendboll për meshkujt.
Në program është xhiroja e katërt. Tri ndeshje janë të mërkurën prej orës 19:00, ndërsa një është të enjten, po ashtu prej orës 19:00. Dhe të gjitha ndeshjet pritet të jenë të forta, interesante dhe me rivalitet. Lëvizjet e fundit që i kanë bërë skuadrat pritet t’i shërbejnë forcimit të garës në Superligë.
Palestra “Minatori” në Mitrovicë do të jetë arenë e përballjes së rivalëve të moçëm, Trepçës e Kastriotit të Ferizajt. Të dy skuadrat llogaritin në pikë të reja dhe kjo garanton ndeshje të fortë deri në fund.
Deçani – Rahoveci dhe Vëllaznimi – Llapi janë dy ndeshjet tjera të së mërkurës mbrëma, që po ashtu pritet të jenë të mira për shikuesit.
Ndërkohë xhiron e mbyllë derbi i madh Besa Famgas – Prishtina, që luhet të enjten nga ora 19:00. Besa ka dominuar në vitet e fundit, por prishtinasit do të synojnë të ndërpresin serinë e pejanëve. Natyrisht Besa llogarit në dy pikë të reja.
Në Superligën e hendbollisteve të enjten nga ora 17:00 luhet ndeshja e mbetur e xhiros së katërt, përkatësisht derbi në mes të Ferizajt dhe Istogut.

Back to top button