Institucionet diskutojnë për mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve
Aktet nënligjore të parapara në ligjin për mbrojtjen e fëmijës janë në proces të hartimit dhe harmonizimit në mes të gjitha institucioneve të përfshira, para se ato të dalin në dëgjim publik dhe për votim në Qeverinë e Kosovës, kanë deklaruar nga Zyra e Kryeministrit.
Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve është diskutuar sot nga deputetë, përfaqësues qeveritar e shoqëri civile, me qëllim të hartimit të akteve nënligjore të parapara në ligj.
Habit Hajredini, drejtor i zyrës për qeverisje të mirë, të drejtat e njeriut, mundësi të barabarta dhe jodiskriminim, pranë Zyrës së Kryeministrit, ka thënë se deri në vjeshtën e këtij viti kur pritet dëgjimi publik dhe miratimi në ekzekutiv, kjo zyrë bashkë me ministritë përkatëse, komunat dhe shoqërinë civile, do të harmonizojë aktet nënligjore në mënyrë që ato pastaj të gjejnë zbatim.
Ndërsa, koordinatorja për të drejtuat e njeriut, në Ministrinë e Arsimit, Merita Januzi ka thënë se kjo ministri është e ngarkuar të nxjerrë një akt nënligjor që ka të bëjë me edukimin për mbrojtjen e fëmijëve.
Në takimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, lidhur me ecurinë e nxjerrjes së akteve nënligjore të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, kryetarja Duda Balje kërkoi nga Ministria e Arsimit që të eliminohen pengesat në të cilat hasin fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkollat e Kosovës.
Ndërkohë përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, ka theksuar se shkollat e reja ofrojnë qasje për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa ato që janë ndërtuar më herët janë modifikuar në mënyrë që kjo kategori të ketë qasje në shkolla.
Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi më 17 korrik të vitit 2020.