​Konjufca: BE të heq vizat për qytetarët tanë

Në kuadër të takimit të 10-të të kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore për Zgjerimin, që po mbahet në Budapest të Hungarisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Kryekuvendari Konjufca dhe zyrtari i lartë i BE-së diskutuan lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Konjufca rikonfirmoi se perspektiva e integrimit evropian mbetet një objektiv i fortë strategjik i Kosovës dhe shtoi se Prishtina zyrtare ka bërë hapa konkret në përmbushjen e kritereve për të ecur më shpejt në këtë rrugë.
Gjithashtu kryekuvendari Konjufca shprehu shqetësimin që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta për të lëvizur lirshëm në Zonën Shengen.
“BE-ja duhet të tejkalojë dallimet brenda vetes dhe të marrë vendimin e duhur, duke hequr sa më parë vizat për qytetarët tanë“, theksoi kryekuvendari Konjufca.

Back to top button