​Konjufca kritikon BE-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbajti një fjalim në Kuvendin e Hungarisë.
Konjufca tha se mund të konkludojnë me një bindje të plotë që siguria, paqja, zhvillimi dhe demokratizimi i rajonit është tërësisht i varur nga garancia e anëtarësimit të shteteve tona në BE. Në të kundërtën, ai shtoi se gjendja do të ishte tejet jostabile dhe e pakontrollueshme po të shuhej shpresa për të qenë një ditë edhe Kosova anëtare me të drejta të plota të familjes evropiane.
Kryeparlamentari drejtoi edhe kritika ndaj BE-së lidhur me liberalizimin e vizave.
“Ne do t’i plotësojmë kriteret, ne do t’i bëjmë reformat, ne do t’i shndërrojmë shoqëritë tona, duke e forcuar sundimin e ligjit, duke e luftuar korrupsionin fuqishëm dhe duke e bërë shoqërinë më të barabartë por edhe ekonominë më të zhvilluar. Por nëse BE-ja thotë se pavarësisht kësaj, ju duhet të na prisni sepse ne kemi nevojë për disa vite të thellohemi, kjo do të ishte dëshpëruese dhe e parikuperueshme. Ajo që ndodhi me dështimin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës është një shembull mjaft negativ i keqmenaxhimit të procesit”, tha Konjufca.
Tutje, ai tha se populli i Kosovës është i vetmi popull i izoluar në Evropë, i cili nuk mund ta gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë për shkak të regjimit të vizave.
“Edhe pse Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme, disa shtete anëtare e bllokojnë padrejtësishtliberalizimin e vizave për Kosovën”, tha Konjufca.
Ai theksoi se “BE-ja duhet ta gjejë kurajon që përmes një programi të optimizimit të kritereve dhe reformave, pas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, ta përfshinte Ballkanin Perëndimor përnjëherë, pra të gjitha shtetet e mbetura në të njëjtën kohë”.

Back to top button