​Kurti dhe presidenti i Forumit Ekonomik të Vjenës biseduan për rritjen e sektorit postar gjatë pandemisë

Kryeministri Albin Kurti, në kuadër të vizitës dy ditore në Austri, sot ka zhvilluar një takim me Peter Umundum, drejtor i Parcelave dhe Logjistikës së Postës së Austrisë dhe anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, njëherësh president i Forumit Ekonomik të Vjenës.
Sektori postar në Austri përbën model të përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve në hap me zhvillimin teknologjik dhe performacës së lartë në besueshmëri. Pasi ka dhënë prezantim mbi funksionimin dhe organizimin e brendshëm të Postës së Austrisë, Umundum ka shprehur interesimin për bashkëpunim me Kosovën në këtë fushë, duke ofruar përvojat dhe njohuritë e Postës së Austrisë.
Gjatë takimit, është biseduar për rritjen që ka përjetuar sektori postar gjatë pandemisë, në veçanti shërbimet elektronike dhe përfitimet nga kjo përvojë në avancimin e mëtutjeshëm të shërbimeve postare.
Kurti ka thënë se zhvillimi i këtij sektori në Kosovë është komponent shumë i rëndësishëm i infrastrukturës socio-ekonomike të vendit, dhe si i tillë e ka vëmendjen e plotë të qeverisë së Kosovës.
“Posta e Kosovës ka nevojë për modernizim të shërbimeve aktuale, por edhe prezantim të shërbimeve të reja. Në këtë drejtim, Posta e Austrisë mund të shërbejë si model”, është shprehur kryeministri Kurti.
Siç është bërë e ditur në komunikatë, në takim, gjithashtu është diskutuar për mundësinë e themelimit të një qendre postare të Postës së Austrisë për Evropën Qendrore në Republikën e Kosovës.

Back to top button