​Kurti: I hapëm rrugën një procesi të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vendimeve që Qeveria e Kosovës i ka marrë gjatë ditës së sotme.
Në mbledhjen e 39-tën, Qeveria ka miratuar 34 vendime.
Kurti ka thënë se sot i kanë hapur rrugën një procesi të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë së shtetit tonë, duke iu referuar procesit të vettingut.
“Grupi punues, i themeluar nga Ministria e Drejtësisë, e i përbërë nga përfaqësuesit e gjyqësorit dhe prokurorisë, shoqëria civile dhe ekspertët e fushës, kanë hartuar Koncept Dokumentin dhe kanë propozuar metodologjinë e mbarëvajtjes së procesit të Vettingut, përmes votimit të amendamenteve kushtetuese, që do lejonin hapësirë të mjaftueshme për hartimin e Ligjit për Vettingun. Duke konsideruar që edhe pasqyra aktuale ligjore lejon hapësirë për mbarëvajtje të procesit të vettingut, përmes plotësim-ndryshimit të ligjeve relevante, Grupi Punues ka propozuar si mundësi të dytë, realizimin e procesit të vettingut përmes ndryshimeve ligjore”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Si përgjigje ndaj efekteve të pandemisë, Qeverika ka aprovuar projektligjin lidhur me financimin e Reagimit të Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë për negocimin e vaksinave shtesë, deri në, siç ka shkruar Kurti, imunizimin e plotë të popullatës, respektivisht në përfundimin e emergjencës shëndetësore.
Poashtu u ndanë mjete financiare për bashkëfinancimin e shtatë projekteve kapitale në komuna, në fushat e infrastrukturës dhe mjedisit, bashkë me UN Habitat-in./21Media

Back to top button