Fondi prej 170 milionë euro i pa mjaftueshëm për sektorin privat

Kurteshaj thotë se mbrojtja e sektorit privat është jetike për ruajtjen e kapaciteteve të shtetit

Propozimi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve për pakon emergjente prej 170 milionë euro nuk i plotëson kërkesat që i ka paraqitur komuniteti i biznesit, përkatësisht anëtarët e Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës.

Kështu ka thënë sot për kp, kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, i cili ka thënë se pas për fat të keq pas përmbledhjes dhe harmonizimeve të propozimeve dhe qëndrimeve nga anëtarët e Kuvendit të OEK për mbështetjen e sektorit privat, pas përhapje së pandemisë me Covid-19 nuk janë përmbushur nga Qeveria e Kosovës.

Kurtishaj ka shtuar se duke pasur parasysh rëndësinë e sektorit privat për gjenerimin e punësimit dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, mbrojtja e sektorit privat është jetike për ruajtjen e kapaciteteve të shtetit për të gjeneruar të hyra buxhetore dhe rrjedhimisht edhe për mirëqenien e popullsisë.

Sipas tij, rreth 300 mijë janë të punësuar në sektorin privat, që ka një ndikim për mirëqenien dhe kujdesin e 1 milion qytetarëve të Kosovës.

Ai ka shtuar se Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e zotuar që të ofrojë përkrahjen e pa rezervë për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për të ofruar ekspertizën e duhur për tejkalimin e kësaj krize, si dhe për ofrimin e alternativave më të përshtatshme që efektet e kësaj krize të manifestohen me pasoja sa më të vogla.

Kurtishaj edhe si kryetar i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, ka theksuar se në këtë krizë, transporti rrugor i udhëtarëve me autobus është sektori më i prekur bashkë me sektorin e hotelerisë, turizmit dhe shërbimeve të tjera.

Back to top button