​MASHTI ndalon tubimet politike në objekte shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim të ndalojë organizimin dhe mbajtjen e tubimeve publike brenda hapësirave të ndërtesave të shkollave dhe të objektet arsimore ku organizohet procesi mësimor.
Sipas vendimit të MASHTI-it, subjektet politike të certifikuara për zgjedhje lokale nuk duhet të mbajnë tubimet politike gjatë dhe pas orarit të punës brenda hapësirës së ndërtesave të shkollave.
Ndërsa, hapësirat e jashtme të objekteve arsimore mund të përdoren nga subjektet politike, vetëm nëse paraprakisht kanë leje për organizimin dhe mbajtjen e tubimeve nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Policia.
Ditë më parë Këshilli i Prindërve të Komunës së Prishtinës ka thënë se kërkesa e partive politike për të mbajtur tubime elektorale në brendësi të shkollave është e papranueshme, por edhe e rrezikshme.
“Ne jo vetëm që e vlerësojmë se kjo kërkesë është e papranueshme, por edhe rrezikshme (e besa edhe e turpshme), nga kushdo që e bën në këtë situatë që jemi, kur mezi i kemi hapur shkollat. Çdo aktivitet i tillë në shkolla i rrezikon fëmijët, stafin e shkollave por dhe krejt procesin mësimor”, thuhet në reagim e tyre./21Media
 

Back to top button