​Ministri Krasniqi inspekton peshoret e mullinjve

 

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, kanë bërë sot verifikimin e peshoreve në një pikë grumbulluese të grurit në funksion të përgatitjeve të sezonit të korrje-shirjeve.

Ai tha se sot kanë ardhur për të parë nga afër se si po rrjedh puna sa i përket peshoreve në prag korrje-shirave në Kosovë, derisa shtoi se kështu po sigurojnë bizneset dhe konsumatorët.

“Inspektorati së bashku me Metrologjisë kanë ndërmarrë që nga java e kaluar një aksion që të vizitojnë të gjithë mullinjtë në Kosovë dhe për të parë nga afër dhe për të siguruar që peshoret janë në nivel të duhur. Ne sot shfrytëzuam kohën që të vijmë dhe të shohim edhe ne se si funksionon se si po shkon puna sepse kjo më shumë është për të siguruar vet bizneset, kompanitë sepse peshorja mund të jetë edhe në minus edhe në plus. Po ashtu për të siguruar edhe konsumatorët që gjithçka është në rregull edhe nëse ka probleme të tilla sigurisht ne e kemi ekipin nga metrologjia të cilat verifikojnë peshoret”, tha Krasniqi.

Ai siguroi që inspektime të tilla do të vazhdojnë edhe më tutje në mullinjtë e Kosovës. Ndër të tjera, u zotua se do të kërkojnë nga prodhuesit cilësi në mënyrë që të mbrohen konsumatorët.

Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë, Ferki Fejza tha se është praktikë që në këtë sezon të bëhet verifikimi i peshoreve pasi që është edhe sezoni i grumbullimit.

“Zakonisht është praktikë që verifikimet e këtyre peshoreve të bëhen në këtë sezon për shkak se është sezon ku pikat grumbulluese kanë sasi më të madhe të punës. Ne kemi filluar qysh dy javë më herët këto aktivitete tash jemi në fazën kulmore të këtyre aktiviteteve”, u shpreh Fejza./kp

Back to top button