​Nagavci: S’do tolerojmë asnjë rast abuzimi me fëmijët në institucionet arsimore

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë nuk do të tolerohen abuzimet me fëmijë në institucionet edukative e arsimore. Ajo ka thënë se një prej prioriteteve të kësaj ministre është parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla.
Ministrja e Arsimit ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim.
“Sa i përket çështjes së kodit etik, janë disa raste me të cilat jemi marrë si raste individuale, referuar edhe rastet për ngacmime apo për dhunën që ka ndodhur ndaj fëmijëve, dhe kjo është një nga prioritetet tona, nuk do të tolerohet asnjë rast kur dikush abuzon me fëmijët në institucionet tona edukativo-arsimore. Në këtë drejtim do të punohet, ndonëse legjislacioni nuk është se nuk është i përcaktuar në këtë lëmi, por shumë herë ka pasur ngecje në implementimin e tij ose fshehje të rasteve të cilat deri në momentin kur janë bërë publik nga persona të ndryshëm të përfshirë në punë, në shkolla, janë munduar të mbahen si sekrete”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka folur në konferencën e fundit për këtë vit ku ndër të tjera ka bërë të ditur që shkalla e braktisjes në arsimin e obliguar ka qenë më pak se 1% për periudhën 2020-2021.
“Në vitin 2020-2021 shkalla e braktisjes në arsimin e obliguar, pra për klasat prej një deri në nëntë ka qenë 0.05% pra më pak 1% por gjithsesi se kjo na obligon që të punojmë që të kemi plotësisht të evituar braktisjen edhe në këtë shkallë kaq të vogël edhe në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar janë identifikuar 190 vajza, kryesisht të komunitetit rom, ashkali, egjiptian, në rrezik të braktisjes ose që e kanë braktisur shkollën me të cilat kemi punuar që të kthehen në shkollë duke ofruar edhe mundësi të motivimit, duke i pajisur me laptop përveç ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për vazhdimin e shkollimit”, ka thënë ajo.
Nagavci ka përmendur përgatitjen e teksteve të reja shkollore për klasën e tretë, klasën e tetë, të 12 dhe tekstet e klasave të cilët nuk ishin të përgatitura.
Ajo ka thënë se kanë përgatitur programet mësimore lëndore për klasën e pestë dhe programet për gjuhë shqipe për nxënësit e komuniteteve jo shqiptare, për klasën e pestë, tetë, nëntë dhe të 12.
“Ashtu siç e kemi përcaktuar në programin tonë qeverisës për katër vitet e ardhshme do të bëhet punësimi i nga 100 asistentëve së paku dhe do të përfundojë mandatin me së paku 500 asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat tona dhe në institucionet e tjera përfshirë edhe ato parashkollore. Përtej kësaj janë trajnuar edhe ekipet vlerësuese pedagogjike për përdorimin e instrumentit për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, janë gjithsej 150 anëtarë të cilët janë trajnuar tashmë dhe të cilët do të punojnë për vlerësimin e fëmijëve sipas kërkesave të institucioneve edukative arsimore”, ka thënë Nagavci.

Back to top button