​Netanyahu humb pushtetin në Izrael

 
Benjamin Netanyahu ka humbur pushtetin pas 12 vjetësh, ndërsa parlamenti izraelit miratoi qeverinë e re me në krye Naftali Bennett.
Bennett do të jetë kryeministri i ri pas koalicionit me Yair Lapid. Në marrëveshje është rënë dakord që Lapid do të pasojë Bennett si kryeministër në gjysmën e qeverisjes.
Naftali Bennett është një mbështetës i fortë i kolonive hebreje në territorin e pushtuar.
Djalë i emigrantëve amerikanë, Bennett, 49-vjeç i përket një gjenerate më të re se kryeministri 71-vjeçar Netanyahu, por ashtu si ai ka lidhje të forta me Amerikën, dhe është një ish-komando.
Milioner në fushën e high-tech, Bennett ka pasur një marrëdhënie të gjatë dhe shpesh të trazuar me Netanyahu-n dhe ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe Arsimit në disa qeveri të drejtuar prej tij.
Ish-lider i lëvizjes kryesore pro kolonive Yesha, Bennett e ka bërë aneksimin e territorit të pushtuar në vitin 1967 një pjesë kryesore të platformës politike. Por si kreu i një qeverie ndryshimi, siç është quajtur, ku do të përfshihen parti të majta dhe të qendrës, e ndërsa do t’i duhet edhe mbështetja e deputetëve arabë, vijueshmëria e politikës së aneksimit duket e pamundur.
Bennett është më liberal se ish-aleatët në çështje të tilla, si të drejtat e homoseksualëve dhe marrëdhënia mes fesë dhe shtetit.

Back to top button