​Policia largon disa pengesa në rrugë në fshatin Bube në Zubin Potok

 
Policia e Kosovës ka hasur në disa pengesa me drunj në disa rrugë në Zubin Potok, gjatë patrullimeve dhe hetimeve me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi.
Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se janë larguar pengesat (drunjtë) për të liruar për qarkullim rrugën dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë në fshatin Bube në komunën e Zubin Potokut.
“Policia Kufitare nga Stacioni i Zubin Potokut kanë intensifikuar patrullimet dhe aktivitetet patrulluese e hetimore me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi. Më datën 03.03.2022 në orën 20:15, në fshatin Bube, komuna e Zubin Potokut, patrulla policore në rrugë ka vërejtur të vendosura disa pengesa me drurë të cilat ishin vendosur në rrugë me qëllim për të penguar qarkullimin e automjeteve. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësi të tjera patrulluese kufitare dhe kanë larguar pengesat (drunjtë) për të liruar për qarkullim rrugën dhe për të mundësuar lëvizjen e lirë në këtë lokacion”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës tutje ka njoftuar se është duke kryer hetime lidhur me rastin, përderisa është e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe krimin transkufitar.
Të gjitha veprimet policore ndërmerren në bashkërendim me autoritetet kompetente vendore./21Media

Back to top button