​Vuçiq vazhdon me kritika ndaj Kamberit: Ai dëshiron bashkimin e Luginës me Kosovën

 
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka vazhduar me kritika ndaj deputetit shqiptar, Shaip Kamberi, për Kosovën dhe Luginën e Preshevës.
Duke komentuar deklaratën e Kamberit i cili tha se “një Serbi e tillë nuk është e mirë edhe për vet serbët”, Vuçiq tha se deputeti shqiptar përveç që pajtohet me pavarësimin e Kosovës, kërkon edhe bashkimin e Luginës së Preshevës me të.
”Sa i përket Kamberit, ai jo që pajtohet me pavarësinë e Kosovës, por ai mendon që Serbia ma e mirë është ajo Serbi kur të mbetet pa Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, ku kërkon që Lugina e Preshevës ti bashkohet territorit të Kosovës” – tha Vuçiq.
Këto komente presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i bëri në ceremoninë e shënimit të përfundimit të punimeve në ndërtimin e Kullës së Beogradit.
Kamberi ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, ku ka thënë se Vuçiq qenka përpjekur sot sërish ta luajë viktimën, duke e sulmuar politikisht.
Ai ka theksuar se nuk ka problem me serbët si qytetarë, por nuk pajtohet me politikën e Vuçiq, e cila, sipas tij, është në dëm të vetë serbëve.
“Z.Vuçiq, mos me u pajtuar politikisht me juve, nuk nënkupton me qenë kundër serbëve! Madje mos me u pajtuar me juve, sot nënkupton me qenë edhe për një Serbi më demokratike, më moderne dhe më zhvillimore. Pastaj, z.President, ju jeni ai që flisnit për « Razgraničenje » me shqiptarët. Z.Vuçiq, ju nuk tregoni gatishmëri për t’i pranuar shqiptarët e Serbisë si shtetas të barabartë. Madje nuk i pranoni as kur konkurrojnë me punuar në institucionet e Serbisë. Me ç’rast, po ju parashtrojë sërish këtë pyetjen e thjesht së cilës nuk po i përgjigjeni as ju dhe as Kryeministrja Bërnabiq : Sa shqiptarë punojnë sot në spitalin e Vranjës, që mbulon edhe Preshevën dhe Bujanocin? Pra, në Serbi nuk pranoni shqiptarët lokalë edhe kur ata duan të punësohen në institucione, e në Kosovë ftoni serbët lokalë të mos pranojnë punësimin në institucione. Sidoqoftë. Lehtë është z.Vuçiq. Zbatoni marrëveshjet që keni firmosur si shtet për Luginën. Ose edhe rikthehuni në tavolinën e dialogut që e keni bllokuar me të zgjedhurit e Luginës. Le të flasim për gjithçka. Për Serbinë, për Medvegjën, për Bujanocin, për punësimet gjithëpërfshirëse në institucione e shtetit, për investimet shtetërore në Luginën e Preshevës etj. Ne, të zgjedhurit legjitim të Luginës, ka kohë që ju presim në tavolinën e dialogut. Mos u frikësoni nga demokracia se nuk ju bën dëm”, ka shkruar Kamberi./21Media
 
 
 

Back to top button