LIVE | Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë

(Lajm i përditësuar)
Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë, kush i fiton komunat?
Në 18 komunat ku ka pasur balotazh në orën 19:00 ka përfunduar periudha e votimit.
Balotazhi në Mitrovicë, kaq qytetarë dolën për të votuar në Shipol
Menaxherja e qendrës së votimit në shkollën fillore “Fazli Grejqevci” në Shipol të Mitrovicës së Jugut, Nurie Hajdari, ka deklaruar për kp se procesi zgjedhor ka rrjedhur normalisht që nga hapja e vendvotimeve dhe deri në orët e pasdites.
Sipas të dhënave të saj, nga gjithsej 6,154 votues të regjistruar, deri në orën 17:20 kanë dalë për të votuar 2,285 qytetarë, çka përbën një pjesëmarrje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e 12 tetorit.
“Nga gjithsej 6,154 votues të regjistruar, kanë dalë për të votuar vetëm 2,285 qytetarë. Ky numër nuk është shumë i madh në krahasim me zgjedhjet e 12 tetorit”, theksoi Hajdari.
Megjithatë, Hajdari ka theksuar për Kosovapress se ka pasur pakënaqësi nga disa qytetarë, të cilët nuk kanë mundur të ndihmojnë persona të moshuar, me nevoja të veçanta apo analfabetë gjatë procesit të votimit — rregull që, sipas saj, është vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në këtë qendër janë të hapura shtatë vendvotime, të gjitha të mbuluara me komisionerë dhe vëzhgues, ndërsa nuk është raportuar asnjë incident apo parregullsi gjatë ditës.
Deri në ora 17:00, ja sa qytetarë kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e sotme!
AAK-ja ankohet: Në Junik po votojnë edhe ata që s’janë banorë të kësaj komune
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në komunën e Junikut po votojnë edhe qytetarë që nuk janë banorë të kësaj komune.
Ai ka paralajmëruar edhe padi.
“Të dhënat tona nga shtabi në Junik, tregojnë se shumë persona po marrin pjesë në procesin e votimit në Junik pa qenë banorë të kësaj komune. Kujtojmë se një veprim i tillë përbën shkelje të ligjit dhe çdo rast i tillë do t’i përcillet institucioneve përkatëse, përfshirë Prokurorinë, për hetim dhe veprim, ku do të bëjmë padi për secilin person veç e veç. Ftojmë të gjithë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe në raundin e parë AAK-ja ka pasur ankesë të tillë për votimin në këtë komunë. Në balotazh, Agron Kuçi i AAK-së është përballë Ruzhdi Shehut të LDK-së.
Komunat që po prijnë me numrin e votuesve
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri tani janë regjistruar 286,318 votues në 18 komunat e Kosovës ku po zhvillohet balotazhi.
Pjesëmarrja ka variuar nëpër komuna të ndryshme.
Prishtina e Mitrovica janë ndër komunat që po prijnë me numrin e votuesve, përveç Mamushës e Junikut që kanë përqindje më të madhe.
Në Mamushë kanë votuar 56,71 për qind e votuesve, ndërsa në Junik është raportuar për një pjesëmarrje prej 41,43 për qind.
Në Prishtinë, deri tani kanë votuar 27,37 për qind e qytetarëve, ndërsa në Mitrovicën e Jugut ka një pjesëmarrje prej 27,31 për qind.
Po ashtu, në Fushë Kosovë ka votuar 25,31 për qind e qytetarëve, ndërsa në Prizren pjesëmarrja ka arritur 32,47 për qind.
Shoqërohen në Polici dy vëzhgues të zgjedhjeve, u kapën mes vete
Dy persona në Korishë të Prizrenit janë shoqëruar në Polici.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Policia ka bërë të ditur se të dy personat/ vëzhgues të zgjedhjeve janë shoqëruar në stacionin policor pas një zënke verbale.
“Rreth orës 15:30 është raportuar një sulm verbal që ka ndodhur në fshatin Korishë të komunës së Prizrenit, në mes të dy qytetarëve vendas, të cilët janë njëkohësisht vëzhgues të zgjedhjeve. Pas marrjes së informatës, policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të dy personat janë ftuar në stacionin policor për intervistim. Nga deklarimet e dhëna nga palët e përfshira dhe në konsultim me prokurorin është konstatuar se incidenti nuk ka qenë i ndërlidhur me procesin zgjedhor”, ka thënë Bytyqi.
Ai tutje ka bërë të ditur se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili do të vendosë për procedurat e mëtejshme në përputhje me kompetencat ligjore./21Media
Bashkimi Evropian vëzhgon nga afër balotazhin në Prishtinë
Zëvendësshefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka vizituar sot qendrat e votimit në Prishtinë.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Si pjesë e vëzhgimit diplomatik të sotëm për zgjedhjet e balotazhit për kryetar bashkie në Kosovë, zëvendësshefja e BE-së në Kosovë, Palatova, vizitoi qendrat e votimit në Prishtinë, duke parë nga afër procesin zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Çitaku: Le ta mbajmë këtë ditë demokratike deri në fund
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e përshkroi sei “të qetë dhe pa incidente serioze” procesin e sotëm zgjedhor.
Duke folur në një konferencë për media, ajo përmendi disa ankesa për mosvotimin e personave me nevoja të veçanta.
Çitaku u bëri thirrje “akterëve politikë” që të mos kontribuojnë në “tensionimin e situatave” nëpër komuna.
“Ftoj të gjithë akterët politikë dhe çdo person që mban përgjegjësi politike që sot të tregojë maturi dhe përgjegjësi, duke mos kontribuar në asnjë formë në tensionimin e situatave në asnjë komunë të vendit, por përkundrazi, t’u mundësojnë qytetarëve të votojnë lirshëm, qetë dhe plotësisht në mënyrë demokratike. Le ta mbajmë këtë ditë demokratike deri në fund të saj”, tha ajo.
Çitaku kërkoi që të mos ketë “abuzim me pushtetin”.
Ajo përmendi edhe fotografimin që ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ia bëri një aktivisti të LDK-së.
“Shfaqjet e tilla, përveç të vrazhda, përveç që nuk i shërbejnë demokracisë, do të duhej të ishin të dënueshme nga secili”, tha ajo.
Çitaku tha se dalja është e mirë dhe “në rritje nga ora në orë”.
“Në shumë komuna, pritet që në orët e pasdites, si zakonisht, pjesëmarrja të rritet edhe më shumë”.
Ajo tha se “sot është dita që përcakton katër vitet e ardhshme”.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka thënë se votimi me asistencë për personat me aftësi të kufizuara, ata që nuk mund ta mbushin dhe nuk mund ta hedhin fletëvotimin, është i garantuar me Ligjin për Zgjedhjet dhe me rregulloret e KQZ-së.
“Kjo nuk nënkupton që në emër të kësaj të drejte të garantuar, të abuzohet dhe në këtë kategori të tentojnë të hyjnë personat që nuk kanë aftësi të kufizuar. Sipas rregullores zgjedhore të KQZ-së, me qëllim të mënjanimit të çfarëdo keqpërdorimi është vendosur që aftësia e kufizuar e votuesit duhet të dëshmohet përmes dokumentit përkatës. Andaj, u bëjmë thirrje këshillave të vendvotimit që të vlerësojnë drejtë dhe sipas legjislacionit në fuqi personat që paraqiten për të votuar me asistencë, e për të cilën çështje janë trajnuar”, ka thënë Radoniqi.
Deri në ora 15:00 dalja në zgjedhje është 20.78%
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se deri në ora 15:00 në 18 komunat ku po mbahet balotazhi kanë qenë 273 mijë e 666 votues apo 20.78%.
“Duke u mbështetur në të dhënat preleminare që i kemi marrë nga rreth 95% të vend votimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 273.666 votues apo 20.78%”, tha Radoniqi./21Media
Balotazhi në Kosovë, vëzhguesit flasin për procesin zgjedhor
Në Kosovë po mbahet proces për raundin e dytë zgjedhor në 18 komuna, dhe këto zgjedhje po i monitorojnë edhe vëzhguesit vendor e ndërkombëtarë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Vëzhguesit vlerësojnë se procesi deri tani në përgjithësi është i mirë.
Ambasadori i Paqes, Tahir Shabani, theksoi për kp se janë duke mbuluar për vëzhgimin e këtij procesi në disa zona të vendit ku po mbahet balotazhi.
Sipas tij, deri tani procesi i votimit po shkon mirë.
“Ka qenë një proces i mirë, i vlerësuar edhe nga jashtë dhe i certifikuar nga KQZ. Ne kemi mbuluar disa zona gjeografike: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, pastaj vazhdojmë për Gjilan dhe Viti. Bazuar në situatën dhe kohën që kemi, mund të zgjerohemi edhe në zona të tjera”, tha ai.
Shabani nuk raportoi për ndonjë parregullsi, por tha se eventualisht do të dalin me një deklaratë zyrtare në këtë drejtim. Megjithatë ai përmendi se ka trajnime për stafin zgjedhor. Sipas tij, KQZ duhet të kontribuojë më shumë në këtë drejtim, duke mos u përqendruar vetëm në zonat kryesore, por edhe për zonat rurale që kanë nevojë për përgatitje
“Ka qenë një proces i mirë, edhe pse në disa zona gjeografike hasëm vështirësi. Mungojnë trajnime dhe stafe, ndaj KQZ duhet të kontribuojë më shumë në këtë drejtim, duke mos u përqendruar vetëm në zonat kryesore, por duke u kujdesur edhe për zonat rurale që kanë nevojë për përgatitje. Po ashtu, duhet të respektohet orari dhe vendvotimi”, tha ai.
Së bashku me të ishte edhe Eric Leyvraz, ish-presidenti i parlamentit në Gjenevë, i cili po ashtu po vëzhgon procesin zgjedhor në Kosovë.
“Ne ishim atje tri javë më parë për të parë rundin e parë. Shkuam në shumë vende dhe pamë se në të gjitha këto vende organizimi ishte shumë i mirë, edhe pse jo njësoj kudo, por kjo është një gjë pozitive, po ashtu me shumë të rinj që po marrin pjesë, gjë që është gjithashtu e mirë. Tani po shkojmë për të parë rundin e dytë, që tashmë e pamë se është i mirë; do të shohim në Gjilan dhe Viti se çfarë po ndodh tani. [Nuk kam dëshmuar ndonjë çrregullim deri tani]. Mendoj se njerëzit po punojnë shumë seriozisht dhe janë të angazhuar në këtë proces dhe mendoj se tashmë është arritur një nivel i mirë për këtë rund”, tha ai.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues. Deri në orën 13:00, sipas KQZ-ka kanë dalë në votime 13.46 për qind në nivel vendi.
Shefi i EULEX-it: Bashkë me Policinë dhe KFOR-in po monitorojmë situatën e sigurisë
Shefi i EULEX-it Giovanni Barbano sot kur 18 komuna të Kosovës po votojnë në zgjdhjet e balotazhit tha se EULEX është duke e monitoruar situatën e sigurisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR0-in.
‘’Ndërsa Kosova po zhvillon raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, patrullat mobile të Njësive të Policisë së Formuar dhe të Policisë së Formuar Rezervë të EULEX janë në terren, duke monitoruar situatën e sigurisë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR, në mënyrë që çdo qytetar me të drejtë vote të mund ta ushtrojë lirshëm dhe paqësisht të drejtën e tij për të votuar’’, tha Barbano.
”Hiç nuk bën pa votu, qeshtu mbahet shtetit”, i moshuari porosit të rinjtë të votojnë
Ndër qytetarët e Gjilanit që votuan sot janë edhe dy të moshuar. Të njëjtit para mikrofonit të RTV21 thanë se është e rëndësishme që qytetarët të dalin të votojnë.
“Duhet, qeshtu mbahet shteti, boll jemi kanë nën robëri.”, tha ai.
Ai pati edhe një kritikë për ata të rinj që nuk po dalin të votojnë.
“Gabim është hiç nuk bën pa votu”, tha ai./21Media
Pesë komunat me daljen më të madhe të votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon rifreskimin e të dhënave për numrin e votuesve që kanë votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 13:44, më së shumti votues në përqindje që kanë kryer obligimin janë ata në Junik, ku nga 4,851 sa kanë të drejtë vote, kanë votuar 1,377 qytetarë ose 28,39%.
Në vendin e dytë deri tash me më së shumti votues është Obiliqi, ku nga 26,210 persona me të drejtë vote, kanë votuar 5,658 qytetarë ose 21,59%.
Kurse, Mitrovica është në vendin e tretë, ku nga 84,715 qytetarë me të drejt vote, kanë votuar 15,078 persona ose 17,80%.
Kurse, në kryeqytet nga 222,418 persona me të drejtë vote, kanë votuar 39,070 qytetarë ose 17,57%.
Ndërsa, nga 51,110 qytetarë me të drejtë vote në Fushë Kosovë, kanë votuar 16,92%.
Të dhënat e KQZ-së mund t’i ndiqni në këtë link.
PDK sot do të mbajë konferencë për media
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot në orën 16:00 do të mbajë konferencë për media.
Konferenca do të mbahet në selinë qendrore të PDK-së.
AAK thërret konferencë për media
Aleanca për Ardhmërine e Kosovës ka njoftuar se sot do mbajë një konferencë për media.
Siç kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media, konferenca do mbahet nga ora 16:00.
E njëjta do të mbahet në selinë qendrore të partisë.
Rasti i 100 vjeçares, Gashi: Prokuroria të hetojë zyrtarët e këshillave që po e pengojnë votimin e qytetarëve
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka reaguar ndaj pengimeve që po iu bëhet qytetarëve që kanë nevojë për asistencë gjatë votimit. Gashi i ka bërë thirrje Prokurorisë që të ndjekë dhe hetojë çdo zyrtar të këshillave të vendvotimeve që pengon votimin e qytetarëve që kanë nevojë për asistencë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutën ligjet dhe me rregullat e KQZ-së.
“I bëj thirrje Prokurorisë që të ndjekë dhe hetojë çdo zyrtar të këshillave të vendvotimeve që pengon votimin e qytetarëve që kanë nevojë për asistencë, përfshirë edhe rastet e votuesve që nuk dinë shkrim e lexim. E drejta e votës është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi dhe me rregullat e KQZ-së”, ka shkruar ai.
RTV21 për këtë rast ka raportuar mëngjesin e sotëm, ku djali i 100 vjeçares tha se nëna e saj nuk ka mundur të ushtrojë drejtën e votës në mungesë asistenti.
Rasti i 100 vjeçares për të cilën raportoi RTV21 shkaktoi debat në KQZ
Asistenca në votim për personat që nuk dinë shkrim lexim ishte temë debate mes anëtarit të KQZ-së nga PDK-ja, Arjanit Elshanit dhe anëtarit nga Vetëvendosje.
Elshani kërkoi sqarim për rastin e 100 vjeçares nga Fushë Kosova për të cilin raportoi RTV21,e cila nuk arriti të votojë për shkak të asistencës.
Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar ofrimin e asistencës, duke argumentuar se kjo mund të cenojë të drejtën për të votuar të individit.
Në anën tjetër, Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka sqaruar se personat që nuk dinë shkrim dhe lexim kanë të drejtë të votojnë me asistencë, por asistenca mund të shkojë deri te kutia e votimit./21Media
Qytetari ankohet: 20 deri 30 minuta sorollatje gjatë procesit të votimit
Një qytetar i Prishtinës ankohet se KQZ ia ka ndërruar qendrën e votimit, teksa tregoi se familja e tij voton në tjetër vend votim.
Ai u shpreh për RTV21 se në procesin e votimit ka pritur deri 30 minuta.
“Po votuam më në fund, menxi e gjetëm pak telashe, 20-30 minuta sorollatje. Herën e kaluar e kam gjetë lehtë, ma kanë ndërru edhe vend votimin, familjarët e tjerë janë tjetër vend, unë tjetër kun kam qenë herën e kaluar. Punojnë aty të padijëshmit nuk e njohin punën”, tha ai./21Media
Nga ara te kutitë e votimit, bujqit e Vitisë nuk i ndal as vjelja e lakrave për të votuar
Sot kur edhe qytetit i Vitisë është pjesë e zgjedhjeve të balotazhit, disa qytetarë të kësaj komune edhe pse ishin të zeënë me punë të bujqësisë shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar.
Loriku nga fshati Gjylekarë i Vitisë i tha RTV21se votimi është mundësia e qytetarëv që për katër vjet ta japin mendimin e tyre./21Media
Votoi Osmani: Balotazhi ditë e rëndësishme sa raundi i parë i zgjedhjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pasi votoi para mediave tha se balotazhi është ditë po aq e rëndësishme sa rundi i parë i zgjedhjeve.
Ajo tha se qytetarët tanë sot vendosin përfundimisht jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat.
“Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon dhe kjo është për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votime, rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe për shkak që gjithmonë organizojmë zgjedhje të lira e demokratike. Jam besimplotë se edhe sot do të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike ku secili qytetar do ta shfrytëzojë të drejtën e vet kushtetuese për të vendosur për komunën ku jeton”, tha ajo.
Ndalohen dy persona në Fushë Kosovë, dyshohen për ryshfet me vota
Dy persona janë ndaluar në Fushë- Kosovë për dhënie dhe marrje të ryshfetit që lidhen me votim.
Sipas njoftimit për media nga Sistemi Prokurorial është thënë se gjatë hetimit është sekuestruar një telefon.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se, në komunën e Fushë Kosovës, me vendim të Prokurorit të shtetit, janë ndaluar dy (2) persona, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Dhënia dhe marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’’ nga neni 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjatë zhvillimit të hetimeve, është sekuestruar një (1) telefon, i cili do të shërbejë si provë në procedurën e mëtejme hetimore. Prokuroria Themelore në Prishtinë do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme konform dispozitave ligjore për ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.
Legjenda e TikTok-ut me mesazh special për zgjedhje
Ali Curri, shitës nga Gjakova i njohur për batutat e tij në Tiktok, ka thënë se nuk ende nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e votës. Ai shtoi se arsyeja e mosvotimit deri më tani është shërbimi ndaj klientëve në treg.
“Ditë e dile, ditë e zotit por ditë e bukur, e votimit, e ka ba zoti verë, shi por mirë ecim përpara nëpër lloq nëpër ara. Votoni kush është më i miri, shi shi baba shi qite votën kush e ka mundësi”, tha ai. /21Media
Tahiri fton qytetarët të dalin në zgjedhje
Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri pasi votoi tha se kjo është një ditë e rëndësishme për qytetarët e Mitrovicës.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Mitrovicës që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit dhe përmes votës ta tregojmë fuqinë dhe të vendosim për qeverisjen tonë të ardhshme në katërvjeçarin e ardhshëm”, u shpreh ai./21Media
Radoniqi: Personat që nuk dinë shkrim lexim nuk kanë të drejtë vote me asistencë
Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi sqaroi mënyrën e votimit për personat të cilët nuk dinë shkrim lexim.
Ai në konferencë për media tha se asistimi i tyre lejohet vetëm deri të kutia e votimit.
“Sa i përket kësaj personat që nuk dinë shkrim lexim kanë të drejtë , por nuk kanë të drejt vote me asistencë , Asistenca e tyre mund të shkojë deri te kutia e votimit por jo më tutje, jo me votu për ta”, u shpreh ai.
Derisa për persona të cilët kanë nevoje asistence tha se nevojitet një dokument mjekësor që e dëshmon këtë./21Media
Deri në orën 11:00 votuan mbi 80 mijë votues
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se deri në ora 11:00 në 18 komuna të Kosovës ku po mbahen balotazhi kanë votuar 80 mijë e 659 votues apo 6.13%.
“Nga të dhënat preliminare nga 95 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote, deri më tani nuk janë evidentuar parreguëllsi që do të mund të ndikonin në integritetin e zgjedhjeve. Numri i qytearëve më të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 në këto 18 komuna është 80 mijë e 659 votues apo 6.13% nga 1 milion e 316 mijë e 672 votues. Deri në të njëjtën kohë në raundin e parë kishin votuar 7.58 për qind apo 99.765 votues”, ka thënë ai./21Media
Rama votoi, uroi qytetarët për “pjekurinë dhe maturinë”
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Ram pasi votoi i ka uruar qytetarët për siç tha ai pjekurinë dhe maturinë që kanë treguar gjatë zgjedhjeve.
“Na priftë e mbar së bashku të gjithëve“, tha ai.
Ambasadori britanik Hargreaves viziton KQZ-në, uron një proces zgjedhor të mbarë dhe të rregullt
Sot, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është pritur në takim ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Fillimisht, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e priti ambasadorin në zyrën e tij, ndërsa më pas ai vizitoi ambientet e punës të KQZ-së dhe dhomën operative.
“Radoniqi e falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka dhënë KQZ-së, veçanërisht në zhvillimin e softuerit të ri për transmetimin e rezultateve dhe statistikave nga vendvotimet, si dhe për përmirësimin e proceseve që zhvillohen në Qendrën e Kontrollit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves uroi për një proces zgjedhor të mbarë dhe të rregullt, duke përgëzuar stafin e KQZ-së për punën dhe përkushtimin e treguar në organizimin e zgjedhjeve.
Krasniqi fton qytetarët të votojnë
Kryetari i LDK-së Memli Krasniqi pasi votoi para mediave tha se është i bindur se procesi do të shkojë në mënyrë të rregullt.
“Sot në të gjitha komunat ku ka balotazh për kryetar të komunave, unë i ftoj qytetarët që të dalin dhe të marrin pjesë pavarësisht zgjedhjes së parë që kanë bërë. Secili prej tyre mund ta luajë një rol të rëndësishëm për t’i dhënë drejtim komunave ku jetojnë në katër vitet e ardhshme. Me shpresën që do të kemi një dalje masive dhe substanciale që vërtetë do të reflektojë vullnetin e qytetarëve. Uroj që edhe ky proces të shkojë me rregull sikurse rundi i parë. Ditë e mirë për Kosovën, për komunat dhe besoj që përfundimisht do të kemi një përmbyllje të një procesi që i jep drejtim katër viteve të ardhshme”, ka deklaruar Krasniqi për mediat pasi votoi./21Media
Revoltohet qytetarja nga Gjakova: “Nuk më lanë me i asistu prindërit”
Një qytetare nga Gjakova tha për RTV21 se stafi në qendrën e votimit nuk e kanë lënë të asistoj për prindërit e saj gjatë procesit të votimit.
“Jo unë me votu, veç me përcjellje deri te kabina. Skam nevoj unë me votu për këta, këta e dinë për kë me votu”. Skan votu se nuk dinë”, th ajo./21Media
Për më shumë ndiqeni videon e plotë më poshtë:
Votoi Abdixhiku: Nga nesër e kthejmë fokusin te zgjedhjet nacionale
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku pasi ka votuar para gazetarëve tha se kjo ditë është festë
“Festë është sot, festë do të jetë data e 9 nëntorit edhe sonte në mbrëmje kur përfundon procesi i votimit”, tha ai
“Tani besoj që menjëherë nga dita e nesërme do të kthejmë fokusin kah zgjedhjet nacionale, pritjet tanimë janë se në fund të dhjetorit do të kemi festën e ardhshme zgjedhore dhe vendimmarrjen demokratike”, tha ai./21Media
100 vjeçares nuk i lejohet të votojë
Një qytetare 100 vjeçare nga Fushë Kosova nuk ka arritur të votojë. Siç tha djali i saj, të njëjtës nuk iu është lejuar ta ushtrojë këtë të drejtë në mungesë asistenti.
“Nna është ’31 e lindur mirëpo është më vonë e shkruar i ka 100 vjet, është e aftë por nuk di me shkru, një Alija ish në komision tha nuk ka drejtë më votu duhet me ja pru unë një asistent, unë për kënd t’i them me votu, unë votoj për nënën time se nuk mund dikush tjetër me votu.”, tha ai./21Media
“Kasablitë zgjohen vonë”, numër i ulët i votuesve në Prizren
Menaxherët e qendrave të votimit në Prizren siç raporton RTV21 janë ankuar për numër të vogël të votuesve.
Por, siç raporton RTV21 në Prizren në fundjavë ka numër të vogël të qytetarëve në rruge, e sipas një deklaratë që iu tha RTV21, kasabalitë zgjohen vonë./21Media
Voton Besnik Osmani
Kandidati nga LDK, për kryetar të komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.
Ai para mediave ka ftuar qytetarët që të dalin për të votuar.
“Unë ftoj të gjithë qytetarët që të dalin në zgjedhje, sepse është shumë e rëndësishme që të votojnë në mendje të qetë dhe të kemi zgjedhje të lira, demokratike siç ka pasur komuna e Fushë Kosovës përherë”, tha ai./21Media
Qytetari i zhgënjyer: Bërllok, bërllok, keq kah të këqyrsh
Një qytetar i moshuar i Gjakovës, pasi votoi tha se procesi shkoi në mënyrë të rregullt, por u shpreh i zhgënjyer me gjendjen aktuale në vend.
“Pritshmëria jeme për moshën që e kam është veç me votu. Bërllok, bërllok , bërllok, kqyrni sytë përcjellni kah të ju sheh syn keq është, ishalla kthehet për së mbari, kah të kqyrsh keq është”, tha ai./21Media
Loriku në Gjakovë për zgjedhje, nuk i lë anash samunat me suxhuk
Në komunën e Gjakovës, komunë të cilën është duke e përcjellur gazetari i RTV21, Lorik Bakija nuk ka lënë anash samunat me suxhuk as në këtë ditë të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale.
Vlen të theksohet se ky ushqim identifikon këtë komunë./21Media
Për më shumë ndiqeni videon e plotë më poshtë:
Nën 2% pjesëmarrja e votuesve në balotazh deri ora 09:00
KQZ ka publikuar të dhënat e para nga numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë deri në ora 09:00 në procesin e votimit.
Dy orë pas hapjes së qendrave të votimit në 18 komunat ku po organizohet balotazhi në Kosovë, numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë deri tani në votim është 26 mijë e 86, transmeton KosovaPress.
Ky numër (26 mijë e 86) i votuesve paraqet 1.98% të numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kanë dalur për të votuar deri tani.
Kujtojmë që nga 18 komunat ku organizohet balotazhi të drejtë vote kanë 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë.
Në kryeqytet deri tani kanë votuar 5 mijë e 998 qytetarë nga 222 mijë e 418 me të drejtë vote apo 2.70%
Rreth 80 prokurorë të angazhuar për zgjedhjet e sotme
Për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave, që po mbahen sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët po qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme lokale.
“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet nw njoftim.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula po e mbikëqyrë gjithë mbarëvajtjen e zbatimit të detyrave të koordinatorëve rajonal, prokurorëve të angazhuar dhe prokurorit me detyrë në KQZ.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Votoi Alban Hyseni
Kandidati i VV-së për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.
Ai beson se është e rëndësishme shfrytëzimi i të drejtës së votimit për vendosjen e së ardhmes.
“Të shfrytëzojn të drejtën e tyre për të votuar, unë sapo përfundova një obligim qytetarë që i takon secilit prej nesh”, tha Hyseni. /21Media
Votoi Hajrulla Çeku
Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku pasi votoi uroi që gjithë procesi të shkojë mbarë deri në fund.
“Uroj që edhe nga nesër e tutje të jenë katër vite të mbara”, tha ai derisa ftoi qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Votoi Abrashi
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Arban Abrshi ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar.
Ai e cilësoi këtë si një ditë të veçantë për Prizrenin.
“Shfrytëzoi rastin që tu bëj apel të gjithë qytetarëve që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike”, tha ai./21Media
Qytetari: Presim gjithçka, ku është mirë në Fushë Kosovë
Një qytetar nga Fushë Kosova për RTV21 tha se nga këto zgjedhje pret gjithçka.
Ai shtoi se në procesin e votimin nuk ka pasur problem.
“Presim gjithçka, ku është mirë në Fushë Kosovë. Mirë shumë, pa asnjë problem”, tha ai. /21Media
Votoi Kurti
Kryeministri në detyrë Albini Kurti ka votuar në qendrën e votimi në Fakultetit Juridik në Prishtinë.
Ai pas procesit të votimit u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.
“ Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë edhe KQZ i kanë bërë përgatitjet”, tha ai.
Raundi i dytë i zgjedhjeve, këtu mund të raportoni parregullësitë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për qytetarët, vëzhguesit dhe të tjerë për raportim të parregullësive dhe për të kërkuar informacione / udhëzime për procesin e votimit.
Linja telefonike për raportimin e parregullësive në dhomën operative:
Në ditën e zgjedhjeve, KQZ, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës do të funksionalizojë dhomën operative për të bashkërenduar aktivitetet me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Qytetarët, vëzhguesit, subjektet politike, kadidatët dhe akterë të tjerë, mund të raportojnë parregullësitë në linjat telefonike të dhomës operative:
+383 38 200 23 544
+383 46 130 013
Linja telefonike për informimin e votuesve:
KQZ për ditën e zgjedhjeve ka siguruar linjën telefonike pa pagesë, e cila do të shërbejë për informimin e votuesve për qendrën e votimit ku janë caktuar, si dhe për kodin e vendvotimin, me qëllim të informimit sa më të saktë.
Numri i linjave për informimin e votuesve janë:
KQZ: Verifikimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale do të zgjasë më shumë se zakonisht: 0800 55 555
+383 46 610 061
Qytetari nga diaspora nuk e gjenë emrin në lista të votimit
Një mërgimtar nga Gjakova për RTV21 tregoi se nuk ka mundur të shfrytëzoj drejtën e tij të votës.
Arsyeja e mos votimit të tij është ndryshimi i nënshtetësinë.
Ai shtoi se ka ardhur në Kosovë vetëm për të votuar.
“Nuk votova se e kom kthyer nënshtetësinë para një muaji, nuk jam në listat e zgjedhjeve. Më thanë me shku në një shkollë tjetër. Jam ardh për zgjedhje, por nuk mujta herën tjetër”, tha ai. /21Media
Për më shumë ndiqeni videon më poshtë:
Gjakovari vjen direkt prej diasporës për të votuar
Një qytetar nga Gjakova ka ardhur nga diaspora vetëm për ta ushtruar të drejtën e tij për të votuar..
Ai i tha RTV 21 se procesi i votimit ka shkuar në mënyrë të rregullt.
“Ishalla ka ndryshime , ndryshimet e bëjnë të vetën”, tha ai,
Elezi: Votimi ka nisur në të gjitha qendrat e votimit
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi tha se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat, derisa procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat.
“Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçani, Klinë , Fushë Kosovë, Obiliq, Rahovec, Pejë , Prishitnë, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Suahrekë , Viti Vushtrri Junik, Mamush Kllokot. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra të votimit merr gjithsej 1628 votime të cilat janë të hapura për të mundësuar votimin e rregullit dhe 18 qendra të tjera me 20 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. Numri i qytetarëve është 1 milion 316 mijë e 672 votues nëpër këto të komuna. Në këtë listë të votues përfshihen edhe 1690 të rinj të cilët nuk kishin të drejtë vote në raundin e parë që kanë arritur moshën e votimit nga data 13 tetor deri sot. “, tha ai.
Më tej Elezi tha se KQZ do të organizojë votimit edhe për 2541 votuesit me nevoja të veçanta.
“KQZ fton të gjithë qytetarët me të drejt vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor.”, tha ai.
Afro 49 mijë qytetarë kanë të drejt vote në Viti
Në qendrën më të madhe të votimit në qytetin e Vitisë ka filluar me kohë.
Të drejtë vote në këtë komunë kanë afro 49 mijë persona me të drejt vote.
Për detajet lidhur me procesin zgjedhor, në qendrën më të madhe të votimit në këtë komunë, drejtori i kësaj qendre, Ali Bislimi për RTV21 tha se procesi i votimit është në rregull.
“Për momentin procesi është në rregull, ashtu siç është paraparë. Votimi ka filluar në ora 07:00”, tha ai. /21Media
Qytetari në Mitrovicë: Ska ma mirë te na, kurrë s’ja huqi
Një qytetar nga Mitrovica pas procesit të votimit i tha RTV21 se nuk do të bëhet ndonjë ndryshim në Kosovë.
Ai shtoi se vendi është duke shkuar më keq.
“Kurgjo valla sikur gjithë veç ma keq. Kurr ska ma mirë te na jo, vallai veç për prap po shkon. I rregullt vallai kurr sja huqi, mëngjes vi”, tha qytetari. /21Media
Hapet ndër qendra më e madhe e votimit në Prishtinë
Tashmë në Fakultetin Filologjisë të Universitetit të Prishtinës është hapur zyrtarisht kjo qendër votimi e cila është ndër më të mëdha në kryeqytet.
Në këtë qendër numërimi e cila ka gjithsej 9 vendvotime të drejtë vote kanë 7 mije 589.
Ndërsa, në kryeqytet të drejtë votë kanë 222 e 418 qytetarë, prej tyre 222 mijë e 326 votojnë sot në Prishtinë, ndërsa 1 mijë e 727 prishtinas janë regjistruar si votues jashtë vendit.
Nga menaxheri i kësaj qendre votimi, Emanuel Gjolekaj për KosovaPress është konfirmuar se materiali sensitiv zgjedhor por edhe kamerat kanë ardhur me kohë ndërsa mungon tavolina ndihmëse.
Komuna e Prishtinës ka gjithsej 54 qendra te votimit me gjithsej 268 vendvotime. Ndersa, ka edhe një qendrës votimit me kusht e cila ka dy vendvotime.
Në rundin e dytë zgjedhor në Prishtinë janë në garë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku.
Në gjithë territorin e Kosovës në balotazh janë 18 komuna. Në këto komuna ku sot do të zhvillohet rundi i dytë i procesi zgjedhor për zgjedhjet lokale do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këto 18 komuna është 1,316,672 votues.
Mitrovica hapi qendrat e votimit për balotazhin
Në komunën e Mitrovicës 84 mijë e 715 qytetarë kanë të drejtë të drejtë të votojnë . Ekipi i RTV21 nga kjo komunë raporton se tashmë janë hapur 32 qendrat e votimit me 105 vendvotime përfshirë edhe një me kusht.
Në këtë komunë në balotazh janë dy parti, Faton Peci nga Vetëvendosje dhe Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës./21Media
Hapet qendra më e madhe e votimit në Prishtinë
Në qendrën më të madhe të votimit në kryqeytet , Shkolla e Mesme e Ulët, ”Ismail Qemiali” procesi i votimit ka filluar në ora 7:00.
Menaxherja e kësaj qendre Mimoza Krasniqi i tha RTV21 se të drejtë vote kanë 9967 votues dhe janë 11 vendvotime.
“ Të gjitha përgatitjet janë bërë dje , sot në mëngjes heret ka ardhë materiali sensitiv”, tha ajo
Sipas zakonisht pas orës 09:00 deri në ora 13:00 rritet numri i qytetarëve që votojnë./21Media
120 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në Pejë
Në komunën e Pejës procesi i votimit ka filluar në orën 7:00 të mëngjesit. Të drejtë vote kanë 120 mijë qytetarë.
Në balotazh në këtë komunë janë kandidati i LDK-së , Gazmend Muhaxhiri dhe ai i Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi.
Ekipi i RTV21 nga kjo komunë raporton se në orët e para të mëngjesit nuk ka lëvizje të madhe të qytetarëve.
Radoniqi: Sa i përket KQZ-së çdo gjë është gati për të filluar votimi
Ai ftoi të gjithë qytetarët e 18 komunave në të cilët zhvillohet raundi i dytë për të zgjedhur kryetarin e komunës që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.
Më tej ai shtoi se KQZ ka marrë të gjithë hapat përmes trajnimeve.
“Sot po fillojmë raundin e dytë për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave. Sa i përket KQZ-së çdo gjë është gati për të filluar votimi, për t’iu ofruar qytetarëve mundësinë për të votuar përmes votës, me këtë rast i ftoj të gjithë qytetarët e këtyre 18 komunave të cilat zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të dalë dhe për të votuar dhe të zgjedhin përfaqësuesin e tyre të preferuar. Me këtë rast bëj apel që të respektohet ligji për zgjedhjet të respektohen rregullat e KQZ-së, të respektohet edhe rendi që i gjithë procesi të shkojë pa problem. Uroj të kemi ditë të qetë dhe të mirë.”, tha fillimisht Radoniqi.
Tutje, ai tha se votimi me asistencë ka qenë shumë i theksuar në disa vende ku edhe arsyetimi nuk ka qenë i duhur.
“Sa i përket votimit me asistencë, KQZ ka ndërmarrë të gjitha hapat edhe procedurat edhe manualin për trajnimeve, të gjitha kanë qenë të theksuara në manual. Se çka ndodh në realitet ditën e zgjedhjeve nëpër vendvotime, mbetet në administrimin e KKZ-së. Ne e kemi bërë të qartë që në disa vende votimi me asistencë ka qenë shumë i theksuar dhe në disa raste edhe arsyetimi nuk ka qenë i duhur në librat e votimit, për këtë arsye kemi ngritur shqetësimin dhe shpresojmë se tash sot do të kenë më shumë kujdes. Natyrisht, jo çdokush ka të drejtë të votojë me asistencë, por vetëm personat në nevojë, shpresojmë që tash do të respektohet kjo çështje.
Në fund, kryetari i KQZ-së tha se votat me postë pritet të vijnë gjatë javës tjetër varësisht shtetit se ku nisen.
“Për fizikisht në Kosovë mund të them që gjatë javës tjetër vijnë në Kosovë varësisht nga cili shtet nisen”, tha ai.
Kujtojmë se sot në Kosovë qytetarët e 18 komunave votojnë për të përcaktuar kryetarin e ri të komunës së tyre.
Gjakovës i shtohen edhe 157 votues të rinj nga 13 tetori
Në komunën e Gjakovës iu janë shtuar edhe 157 votues të rinj të cilët e kanë mbushur 18 vjet nga 13 tetori e deri sot nga 121 mijë e 827 votues gjithsej,
Janë 36 qendra votimi të rregullta , raporton RTV21,.
Në Gjakovë KQQZ ka njoftuar RTV21 se ka tre ekipe mobile të votimit.
Tetëmbëdhjetë komuna votojnë për ta zgjedhur kryetarin e komunës
Tetëmbëdhjetë komuna janë pjesë e balotazhit për kryetar sot në Kosovë.
Qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur njërën nga dy kandidatët potencialë për udhëheqjen e ardhshme katërvjeçare.
Pjesë e garës janë Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Peja, Rahoveci, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Kllokoti dhe Mamusha.
Një milion e 316 mijë e 672 qytetarë kanë të drejtën e votës në këto 18 komuna. Ky numër i votuesve është i shpërndarë në 507 qendra votimi, me gjithsej 1.628 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Prishtina do të zgjedhë midis kryetarit aktual Përparim Rama LDK dhe Hajrulla Çekut VV. Këta të dy kanë diferencë prej 518 votash nga raundi i parë – Përparim Rama 33.71 për qind ose 35.595 vota, Hajrulla Çeku 33.21 për qind ose 35.077.
Betejë interesante pritet edhe në Mitrovicën e Jugut ndërmjet Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri PDK. Diferenca mes tyre në garën e raundit të parë ishte vetëm 122 vota.
Garë e ngushtë pritet edhe në Obiliq midis Xhafer Gashit LDK dhe Halil Thaçit Lëvizja Vetëvendosje, ku diferenca nga raundi i parë është vetëm 233 vota.
Kryetari aktual Alban Hyseni nga VV dhe Arbër Ismajli LDK do të përballen në Gjilan. Alban Hyseni më 12 tetor kishte rreth 7 mijë vota më shumë.
Gjakova do të vendosë ndërmjet dy kandidatëve me të njëjtën emër – Ardian Gjini AAK dhe Ardian Gola VV. Kandidati i partisë së Ramush Haradinajt në raundin e parë ka mbi 6500 vota epërsi.
Bexhet Xheladini LDK e Shaban Shabani PDK do të garojnë për Dragash. Xheladini në raundin e parë ka mbi 2500 vota më shumë se kundërkandidati i tij.
Shaqir Totaj PDK ka mbi 7 mijë vota epërsi ndaj kundërkandidatit Artan Abrashi nga VV-ja nga gara e 12 tetorit në Prizren.
Bali Muharremaj nga AAK në raundin e parë ka më shumë se 4 mijë vota ndaj Ardian Shalës nga LDK-ja para balotazhit në Suharekë.
Vitia është në garë të ngushtë ndërmjet Sokol Halitit të LDK-së dhe Arsim Ademit nga VV. Kandidati i LDK-së ka epërsi nga raundi i parë prej vetëm 944 votash.
Ferit Idrizi nga PDK-ja hyn në garë për kreun e Vushtrrisë me epërsi prej më shumë se 4400 votash nga raundi i parë përballë Sylejman Mehollit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me një diferencë me më pak se 400 vota garës së balotazhit në Junik më 9 nëntor i hyjnë Ruzhdi Shehu nga LDK-ja dhe Agron Kuçi nga AAK-ja.
Valon Prebreza hyn me rreth dy mijë vota epërsi nga raundi i parë në raport me kandidatin e LDK-së Besnik Osmani për kryetar të Fushë-Kosovës.
Smajl Latifi nga AAK dhe Ali Dula Lëvizja Vetëvendosje garojnë në Rahovec, me epërsinë e kandidatit nga partia e Ramush Haradinajt nga raundi i parë me 2879 vota.
Në Kaçanik gara është midis Sabedin Vishit nga PDK-ja dhe Jeton Rakës nga Lëvizja Vetëvendosje, me epërsi prej rreth 300 votash nga kandidati i partisë së Memli Krasniqit nga raundi i parë më 12 tetor.
Peja vendos midis Gazmend Muhaxherit nga LDK-ja dhe Taulant Kelmendi nga Lëvizja Vetëvendosje. Më 12 tetor, kandidati i partisë së Lumir Abdixhikut ka epërsi prej 7903 votash.
Në Klinë do të vendoset midis Zenun Elezajt nga AAK-ja dhe Sokol Bashtosë nga PDK-ja, me diferencë prej 2454 votash.
Në Mamushë garojnë Abdülhadi Krasniç nga KDTP, i cili ka epërsi prej vetëm 32 vota ndaj Fikret Morina Mamuşa Halk Hareketi. Kllokoti do të vendosë ndërmjet Bozhidar Dejanoviq – Lista Serbe dhe Sreçko Spasiq – Srpska Narodna Sloga (SNS), me diferencë 219 vota nga raundi i parë, ndonëse ky i fundit pati njoftuar se “tërhiqet nga gara”. Megjithatë KQZ ka sqaruar se tërheqja e tij është e vonshme dhe se emeri i tij tashmë ndodhet në fletëvotim.
Votuesit që votojnë jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar tashmë në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor, kanë pasur mundësi të votojnë me postë nga 27 tetori deri më 8 nëntor. Votuesit me nevoja të veçanta kanë pasur mundësi të regjistrohen për të votuar nga data 29 tetori deri më 4 nëntor.
Kujtojmë, këto janë zgjedhje të rregullta komunale me mandat katërvjeçar për kryetar. Në raundin e parë është votuar për kryetar dhe asamblistë të komunave.