Kaloni te përmbajtja kryesore

Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë

(Lajm i përditësuar)

Në orën 19:00 ka përfunduar periudha e lejuar për të hyrë në qendrat e votimit për të votuar.


DnV: Dalja deri në orën 17:00, pothuajse e njëjtë me zgjedhjet e 9 shkurtit

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim tha se sipas të dhënave nga vëzhguesit në terren, dalja deri në orën 17:00 është 38.9 për qind.

“Sa për krahasim, dalja në votime në intervalin e njejtë kohor në zgjedhjet e 9 shkurtit, ishte e njejtë rreth 39%”, tha Eugen Cakolli nga DnV.

Procesi, sipas DnV-së, është i qetë dhe vështirësitë më të mëdha kanë të bëjnë me gjetjen e vendvotimeve nga votuesit.

“Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 70% të vendvotimeve, madje në 15% të vendvotimeve kjo dukuri ka qenë e shprehur deri në 30 raste”.

Sa i përket votimit me asistencë, Cakolli tha se komisionarët në 75 për qind të vendvotimeve kanë kërkuar dokumente mjekësore nga votuesit në mënyrë që të lejohen të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër.

Sa i përket fotografimit të votës, deri në orën 17:00, sipas DnV-së janë raportuar 21 raste.

Ndërkaq, si incidente më serioze nga DnV-ja janë cilësuar problemet me furnizim me energji elektrike dhe probleme me fletëvotime.

“Dy orë para përmbylljes së procesit të votimit, po raportohet për ndërprerje të energjisë elektrike në të paktën dy qendra të votimit. Po ashtu në një vendvotim është raportuar se kodet në fletëvotime nuk po përputhen”, thanë nga DnV-ja.

 

 


Dyshime për manipulim të votuesve, ndërhyn Prokuroria

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se një person me inicialet M.S. ka ndikuar te qytetarët për të votuar, si dhe ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që ata të asistohen gjatë procesit të votimit.

Sipas njoftimit, personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga organet kompetente.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë, si dhe në garantimin e një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik”, thuhet në njoftim.


Rreth 760 mijë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës deri në orën 17:00

Saktësisht 759 mijë e 877 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në orën 17:00, sipas procesimit të 97.54 për qind të vendvotimeve në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

KQZ njofton se deri në orën 15:00 kanë votuar 24,91% e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përditësuar të dhënat e fundit për pjesëmarrjen e qytetarëve deri në orën 15:00.

Sipas të dhënave të fundit, deri në këto momente kanë votuar 24,91%.

Megjithatë, KQZ vazhdon të përditësojë të dhënat gjatë tërë kohës.

LINKU për të përcjellë përditëstimet e fundit: KËTU:


Kelani: Deri më tani procesi zgjedhor është i qetë

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një lidhje të drejtpërdrejt për RTV21 ka folur për ecurinë e procesit zgjedhor, duke thënë se deri më tani procesi ka shkuar qetë dhe pa ndonjë incident. Ai tregoi edhe numrin e zyrtarëve policorë të cilët janë në qendrat e votimit sot në Kosovë.

“Vlerësuar në aspektin e sigurisë mund të themi që i gjithë procesi është duke shkuar qetë dhe pa ndonjë incident apo rast të natyrës që mund të theksohet që do të ketë ndikuar në mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Në përgjithësi është duke kaluar një proces i qetë. Ne kemi të angazhuar një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë në nivel vendi, diku 6 mijë e 250 zyrtarë veq janë nëpër qendrat e votimit në vendvotime”, tha ai.

Kelani shtoi se deri më tani 16 informata të natyrave të ndryshme janë adresuar në Policinë e Kosovës.

“Ka pasë informacione të natyrave të ndryshme, mirëpo jo ndonjë rast penal i cili mund të ketë ndikuar në mbarëvajtje të procesit. Është raportuar për një rast në Prizren i cili ka të bëjë me asgjësim të dokumentave të votimit dhe ne në bashkëpunim dhe kordinim me Prokurorinë e kemi trajtuar si rast. Ka raste të natyrave tjera që janë trajtuar në cilësinë e informatave apo vetëm si shënime zyrtare sepse ne si Polici e Kosovës aty ku raportohet ndonjë informacion çfardo natyre qoftë ai miret menjëherë në trajtim. Mund të them se diku rreth 16 informata deri tani të natyrave të ndryshme që kanë rrjedh në Policinë e Kosovës”, deklaroi zëdhënësi i Policisë së Kosovës./21Media


Deri në orën 14:00 votuan 18.35% të qytetarëve

Sipas të dhënave të Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri në orën 14:00 kanë votuar 18.35% të qytetarëve.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e KQZ-së deri në këtë orë të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 366 mijë e 876 qytetarë nga 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë sa kanë të drejtë vote.

Këto të dhëna janë publikuar nga procesimi i të dhënave nga 97.54% e vendvotimeve.


KQZ: Pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 13:44 është 18.18%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 13:44 është 18.18%.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Ranillugu prin me pjesëmarrjen më të lartë, 33.28%, ndërsa Leposaviqi ka pjesëmarrjen më të ulët, 1.57%.

Në kryeqytetin Prishtinë, deri në këtë orë votuan 22.50% e qytetarëve me të drejtë vote.


DnV: Deri në orën 12:00 kanë votuar 13.7% e qytetarëve

Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë të ditur se deri në orën 12:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Sipas vëzhgimeve në terren, procesi i votimit po zhvillohet kryesisht në mënyrë të qetë, por me disa parregullsi të evidentuara në vendvotime.

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, në konferencën e radhës për media, tha se pjesëmarrja në votim është pak më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Që nga hapja e vendvotimeve, sipas vëzhguesve tanë, procesi i votimit po rrjedh në mënyrë të qetë. Deri në orën 12:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 13.7 për qind e qytetarëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, deri në këtë orë kanë votuar 14.5 për qind, pra kemi një dallim të vogël”, deklaroi Kryeziu.

Ai theksoi se janë shënuar vështirësi në identifikimin e vendvotimeve dhe raste të votuesve që janë paraqitur në qendra të gabuara.

“Në rreth 50 për qind të vendvotimeve janë raportuar raste të votuesve që janë paraqitur në vendvotime të gabuara. Po ashtu, ka pasur qytetarë që nuk kanë mundur ta gjejnë emrin e tyre në listën e votuesve”, tha ai.

Sipas Kryeziut, votimi me asistencë ka qenë në nivel të ulët, ndërsa janë evidentuar edhe raste të përdorimit të dokumenteve të pavlefshme.

“Deri më tani, vetëm rreth 1 për qind e qytetarëve kanë votuar me asistencë. Ndërkaq, në deri 16 për qind të vendvotimeve janë identifikuar raste të votimit me dokumente me afat të skaduar”, theksoi Kryeziu.

Ai shtoi se është vërejtur rënie e rasteve të fotografimit të votës, por janë shënuar edhe probleme të përkohshme me furnizimin me energji elektrike në disa qendra votimi.

“Fenomeni i fotografimit të votës është në rënie. Deri në orën 12:00 janë raportuar 13 raste. Gjithashtu, kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike në deri tetë qendra votimi, por ndërhyrja ka qenë e shpejtë”, përfundoi Kryeziu.


Këto janë komunat ku dalja e qytetarëve në zgjedhje është më e madhe

Prishtina, Gjilani, Shtimja, Podujeva, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë komunat ku qytetarët kanë dalë më shumë për të votuar deri në orën 13:00, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në komunën e Prishtinës, deri në këtë periudhë kanë dalë të votojnë 10.90 për qind, apo 23 mijë e 935 votues nga gjithsej 219 mijë qytetarë me të drejtë vote. Pasohet nga komuna e Shtimes me 10.12 për qind, apo 2 mijë e 812 votues nga gjithsej mbi 27 mijë qytetarë me të drejtë vote; Gjilani me 9.37 për qind, apo 9 mijë e 831 votues nga gjithsej 104 mijë e 807 qytetarë me të drejtë vote; dhe Podujeva me 9.30 për qind, apo 7 mijë e 845 votues nga gjithsej 84 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Dy komunat e tjera me përqindje të mëdha të daljes në votim janë komuna e Novobërdës me 14.50 për qind, apo 1 mijë e 455 votues nga gjithsej 10 mijë e 37 qytetarë me të drejtë vote; komuna e Mitrovicës së Veriut me 14.58 për qind, apo 2 mijë e 556 votues nga gjithsej mbi 17 mijë qytetarë me të drejtë vote; dhe komuna e Zveçanit me 12.52 për qind, apo 860 votues nga gjithsej 6 mijë e 871 qytetarë me të drejtë vote.

Ndërkaq, në dy komunat e tjera me shumicë serbe ka dalje më të ulët në zgjedhje: Zubin Potoku 1.15 për qind dhe Leposaviqi 2.03 për qind.

Në anën tjetër, sipas të dhënave të KQZ-së, në komunën e Istogut dhe Dragashit deri në orën 13:00 ka dalje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje, përkatësisht në Istog 6.91 për qind dhe Dragash 3.99 për qind.


​Probleme me energji elektrike në gjashtë komuna, e konfirmon KQZ-ja

Procesi i votimit në zgjedhjet e sotme të parakohshme është duke vijuar normalisht, tha kryetari i KQZ-së, Kresnik Radoniqi.

Megjithatë, ai tha se në gjashtë komuna, Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, janë evidentuar probleme me energji elektrike, por që më pas janë zgjidhur. Për këtë problem, Radoniqi tha se janë në komunikim me KEDS-in, mirëpo nuk e përjashtoi mundësinë që sërish të ketë probleme me energji elektrike.

“Duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, procesi i votimit nga të gjitha komunat e vendit është duke vijuar normalisht deri në këtë fazë. Nuk është raportuar asnjë problem apo parregullsi që do të ndikonte në mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor”, tha ai në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ai tha se me qëllim të garantimit të mbarëvajtjes së ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka funksionalizuar Dhomën Operative, e cila përbëhet nga zyrtarë të KQZ-së, si dhe përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.

“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar probleme të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit, që i takojnë komunave Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan. Komisionet komunale kanë njoftuar KEDS-in. Po ashtu kemi pranuar njoftimin nga Komuna e Rahovecit, ku në një qendër të votimit është vërejtur se fletëvotimet kanë shenja të dukshme në numra. Çështjet me energji, pasi janë raportuar, janë zgjidhur. A presim që të kemi prapë probleme me energji, është e mundshme. E kemi alarmuar këtë çështje ditë më parë, por zyrtarët e KEDS-it janë në terren dhe në komunikim të vazhdueshëm me KQZ-në. Për çdo mungesë të energjisë janë në detyrë dhe do të reagojnë”, shtoi Radoniqi.


“Jam atje, vi veç për dy – tri javë, se di sa është fer me votu këtu”, thotë mërgimtari

Një mërgimtar nga Gjermania për RTV21, për votimin në Kosovë shprehi dilema se a do të votonte këtu, teksa shtoi se nuk është fer me dhënë votën në Kosovë.

“Unë e kam vetëm pasaportën e Gjermanisë, nuk e kam pasaportën e Kosovës por me të treguar të vërtetën nuk e di a kisha votu, pak po por problemi është se a kisha votu se unë tani jam atje, unë vi këtu për dy-tri jav tërë vitin. Nuk e di sa është fer me dhënë votën këtu”, tha ai./21Media


Osmani: Shpresoj që rezultati i këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijimin e institucioneve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas votimit para mediave ka shprehur shpresën për një proces zgjedhor demokratik dhe me pjesëmarrje të gjerë qytetare.

Osmani u shpreh e bindur se partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara për të siguruar stabilitet institucional në vend.

“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta, demokratike, uroj poashtu që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve të Republikës sonë me të drejtë vote. Si gjithnjë zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik, ku vendimarrja kthehet tek qytetarët tanë dhe shpresoj që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më shpejtë të parlamentit dhe zgjedhjes të qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme”, tha Osmani./21Media


Radoniqi: Deri në ora 11:00 kanë votuar 8.27 për qind e votuesve

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 11:00 është 165 mijë e 404 votues apo 8.27% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues.

“Po ashtu, duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 94% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 11:00 është 165 mijë e 404 votues apo 8.27% nga 1 milionë e 999 mijë e 204 votues.  Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, sipas të dhënave nga rreth 93% e vendvotimeve, kishin votuar 8.58% apo 169,650 votues nga 1 milionë e 970 mijë e 944 votues.”

“Konferenca e tretë e KQZ-së mbahet në orën 15:30, në të cilën është planifikuar të paraqitet pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00 dhe ecuria e procesit zgjedhor deri në atë kohë.”


Votimi në grup në veri, prokurorja Laura Pula thotë se mund të trajtohet si rast i veçantë

Prokurorja, Laura Pula në një linjë të drejtpërdrejt për RTV21 ka folur për votimin në grup në veri, duke thënë se mund të trajtohet si rast i veçantë.

“Edhe këtë informatë jemi duke e trajtuar, që nga mëngjesi kemi informacione se janë duke u grumbulluar personat  të caktuar për të votuar në grup, këto janë shkelje të rregullave të zgjedhjeve. Nëse del dikush nga grupi që është i kërcënuar apo detyrohet të votojë në mënyrë të caktuar, atëherë do të trajtohet si rast i veçant dhe do të intervisohen në drejtim të ndonjë vepre penale që vjen nga ky kapitull”, deklaroi ajo.

Pula tha se deri më janë evidentuar disa incidente të vogla në Kosovë.

“Deri më tani ne kemi evidentuar disa incidente të vogla, të cilat janë evidentuar në Republikën e Kosovës në qendra të ndryshme. Nuk ka diçka shqetësuese dhe nuk ka ndonjë person i cili duhet të krijohet si kryes i veprës penale nga të drejtat e votimit, ato të cilat janë raportuar, verifikuar janë duke u trajtuar me seriozitet dhe çdo person i cili do të cenon të drejtën e votimit do të intervistohet në mënyra të ndryshme në kuadër të ligjit”,tha ajo./21Media

 

 


Limaj: Dita e vendimmarrjes e çdo qytetari

Kryetari i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj ka ushtruar të drejtën e tij të votës në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit të tij, Limaj tha se sot është dita e vendimmarrjes e çdo qytetari për ta bërë shtetin më të fortë e funksional.

Limaj shpreson se qytetarët sot do vendosin për fëmijët e vendit dhe për forcën e shtetit për katër vitet e ardhshme.

“Një ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, shtetin tonë. Dita e vendimmarrjes e çdo qytetari, për ta bërë këtë shtet më të pjekur, më të fortë, konsistent, funksional. Vendimmarrja sot është në dorën e çdo qytetari, për t’i dhënë një mundësi e shpresë zhvillimit të shtetit të Kosovës. Shpresoj që çdo qytetarë sot do vendosi për fëmijët tanë, për këtë shtet, për forcën e shtetit, zhvillimin, funksionimin. Mos harroni sot vendosni për katër vite në dorën e kujt do ta leni parlamentin e Kosovës dhe funksionimin e shtetit, prandaj është një vendimmarrje shumë e rëndësishme”, tha Limaj.

Në këtë qendër votimi të drejtë vote kanë 5 mijë e 273 qytetarë, ndërsa numri i votuesve që kanë votuar deri në ora 11:00 është 462 qytetarë.

Ndërkohë, në komunën e Prishtinës, të drejtë vote kanë 219 mijë e 516 qytetarë, deri në ora 11:00 kanë votuar 23 mijë e 935.


Votim në mënyrë kolektive?“, Merita Sekiraqa raporton nga veriu


“Është ditë e mbarë”, thotë Lumir Abdixhiku pasi votoi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas votimit të tij, uroi që qytetarët e Republikës së Kosovës të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja dhe të zgjedhin për zhvillim, stabilitet e për të ardhme euroatlantike të Kosovës.

Abdixhiku pas votimit në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, tha se kjo ditë përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të qytetarëve të Kosovës.

“Uroj të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë në të cilën vendimmarrja i kthehet sovranit të qytetarit, është ditë e mirë e mbarë dhe le të shpresojmë se në vazhdimësi i gjithë procesi i votimit të shkoj mbarë e mirë. Uroj që qytetarët e Kosovës në këtë ditë të rëndësishme që përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të tyre, të zgjedhin për zhvillim stabilitet për të ardhme euroatlantike të Kosovës dhe të largohemi nga zymtësia, bllokada dhe përçarja që na ka shoqëruar në këto vite. Le të fitoj populli i Kosovës, siç di të fitoj në ditën e zgjedhjeve”, tha Abdixhiku.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë të drejtë vote kanë 5 mijë e 273 qytetarë. Deri në orën 9:00 në këtë qendër votimi kanë votuar vetëm 133 qytetarë.

Ndërsa në Prishtinë numri i votuesve në listën e votuesve është 219 mijë e 516 qytetarë, ndërkohë deri në ora 9:00 në këtë komunë kanë votuar 8 mijë e 23 qytetarë.


Mërgimtarja nuk lejohet të votojë me letërnjoftim të skaduar

Probleme me energjinë elektrike në një qendër në Obiliq, “Ra siguresa e një faze”


“Ditë e qetë dhe mirë”, votoi Bedri Hamza

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka ftuar qytetarët që të votojnë në zgjedhjet e sotme të parakohshme.

Ai, pasi votoi në Mitrovicë, tha se pret rezultat të mirë pas zgjedhjeve të sotme.

“Unë i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas bindjeve të tyre të lira dhe vullnetit të tyre. Jam i bindur që kjo do të jetë një ditë e qetë dhe e mirë, ku qytetarët do të votojnë në mënyrë demokratike dhe të qetë. Pres rezultat të mirë. Uroj që gjithçka të shkojë mbarë”, tha ai.

Derisa theksoi se do të bëjë maksimumin që Kosova të mos ketë vakum institucional.

“Unë do të bëj maksimumin që Kosova të ketë sa më shpejt institucione dhe të mos ketë vakum institucional, dhe vendi të ecë përpara”, theksoi ai.

Duke folur për ecurinë e procesit zgjedhor, Hamza tha se deri tani s’ka ndonjë informacion se ka ndonjë problem.

“Deri tani s’kam ndonjë informacion se ka ndonjë problem dhe uroj që të mos ketë… Nuk është mirë me ndodh. Mund të jetë shqetësuese, por nuk dua të paragjykoj”, shtoi ai.


Votoi Kurti, fton qytetarët ta ushtrojnë këtë drejtë

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka votuar në Fakultetin Ekonomik, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Pas votës, ai i ka ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën, që siç tha, për të përcaktuar përbërjen e kuvendit të ardhshëm.

“Porsa votova këtu në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet, për legjislaturën e dhjetë të Kosovës. Sot është një ditë edhe e bukur edhe e rëndësishme, i ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën, ta përdorin mundësinë për t’u përcaktuar për përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Dhe uroj e besoj, e punojmë që legjislatura e dhjetë të konstituohet sa më shpejt kuvendin e ardhshëm dhe njëkohësisht ta formojë qeverinë e re. I falënderojë të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatat, pastaj për durimin, vëmendjen, angazhimin që kanë treguar dhe gjithashtu shpresoj që pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrje masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjes por edhe në legjitimitetin e institucioneve”, deklaroi ai.

Kosova voton sot në 38 komuna të Kosovës. Këto janë zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Gjatë gjithë vitit janë organizuar katër procese zgjedhore.


Prizreni më aktiv në këto zgjedhje, numër më i madh i votuesve


​DnV: 16 për qind e qendrave të votimit nuk kanë pjerrina

16 për qind e qendrave të votimit në nivel vendi nuk kanë pjerrina, ka thënë Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV), që është rrjet i organizatave joqeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Në konferencën e parë për ditën e sotme, ai tha se 3 për qind e qendrave të votimit janë hapur me vonesë.

“Është raportuar se shkaku kryesor pas vonesave në hapjen e vendovotimeve me kohë lidhet me mungesën e komisionerëve. Aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja. Me përjashtim 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vlen të theksohet se vendosja jo e duhur, në pozitat ku nuk garantohet fshehtësia e votës është më e shprehur në komunat me shumicë serbe”, ka thënë ai në konferencë për media.

Tutje, ai shtoi se pjesëmarrja në zgjedhje si e drejtë universale duhet t’u garantohet të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Vëzhguesit tanë kanë raportuar se në 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi mungon infrastrukturë fizike ose pjerrina që votuesit të kenë qasje që të hyjnë në shkollë, pa llogaritur këtu faktin që një pjesë e konsiderueshme e shkollave në nivel vendi nuk kanë pjerrina apo lifte për të arritur në katet e dyta ku zhvillohet ky proces i votimit. Edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese brenda një perimetri prej 100 metra, vëzhguesit tanë kanë raportuar se afërsisht 3 për qind të qendrave të votimit edhe pas orës 7 të mëngjesit ka pasur prani të materialeve të subjekteve apo kandidatëve të caktuar”, shtoi ai.

Cakolli shtoi se në 18 për qind të qendrave të votimit mungojnë tavolinat ndihmëse.

“Në 18 për qind të qendrave të votimit mungojnë tavolinat ndihmëse, apo stafi përkatësi që si problematikë është më e shprehur në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës….Nuk është raportuar për ndonjë incident serioz, që do të ndikonin integritetin e procesit zgjedhor, në përjashtim të dy rasteve të izoluara të ndërprerjes së energjisë elektrike, gjë që ka ndikuar me vonesa në hapjen e vendvotimeve”, përfundoi Cakolli.

Në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë gjithsej 2,614 vendvotime (2,557 të rregullta dhe 57 me kusht). /kp


Antigona raporton: Klina ende në gjumë, qendrat e votimit i presin


Votoi Ramush Haradinaj, iu bën thirrje edhe qytetarëve ta ushtrojnë këtë të drejtë

Nën shoqërimin e nënës së tij, Rukës Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj votoi në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.

Pasi votoi Haradinaj i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të vendosin për Kosovën në vitet në vijim, që t’i dalin krah Kosovës.

“I bëj thirrje qytetarëve të Kosovës, të gjithëve ta shfrytëzojnë të drejtën e votës, të votojnë, të vendosin për Kosovën dhe vitet që vijnë, ky është vendimi i tyre që mund ta marrin, t’i dalin krahë Kosovës gjithë”, tha Haradinaj.

Në këtë qendër të votimit në Gllogjan të drejtë vote kanë 1450 votues dhe janë dy vendvotime.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 41 mijë e 138 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 14 qendra të votimit dhe 51 vendvotime. Edhe kjo komunë ka qendrën e votimit me kusht.


Jahjaga u bën thirrje qytetarëve të votojnë

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar. Ajo në një deklaratë për RTV21 u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të votuar.

“Unë përmbusha obligimin tim si qytetarë ushtrova të drejtën e votës procesi ishte jashtëzakonisht i mirë aq sa ne e dëshmuam në këtë mëngjes por shpresojë dhe është shumë më rëndësi qe dita e sotme të kalojë në mënyrë të qetë dhe të mos ketë incidente të cilat do të vendosin në pikëpyetje të gjithë procesin e zgjedhjeve të sotme dhe unë ju bëjë thirrje të gjithëve qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar sepse secila votë ka rëndësi dhe bënë ndryshim për vendin, këtyrëve viteve me radhë pa marr parasysh kemi pa disa raunde të zgjedhjeve parlamentare, lokale dhe ne çdoherë po e dëshmojmë si qytetarë si institucion atë testin e demokracisë për procesin e mbarëvajtjes të zgjedhjeve, por ndoshta po shihet një ulje e intezitetit dhe për këtë ju bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre sepse është në të drejtën e sovranit”, tha ajo./21Media


Hoxha: Policia gati për zgjedhje, nuk presim incidente madhore 

Poilcia  e Kosovës është e gatshme për zgjedhjet e sotme parlamentare. Drejtori i Policisë gazmend  Hoxha në një lidhje direkte për RTV21 tha se  nuk presin incidente të mëdha.

“Policia e Kosovës sot edhe ditëve tjera është shumë mirë ka bërë planifikime me kohen në lidhje me ditën e zgjedhjeve, dita e sotme ka fillu për neve shumë herët në ora 3:00 të mëngjesit policët tanë janë paraqit në detyrë edhe së bashku me komisionin qendror të zgjedhjeve në fakt ekipet e tyre lokale janë shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit nëpër Kosovë deri tash nuk është raportu ndonjë problem dhe incident ka pas disa telashe të vogla që më shumë janë të natyrës teknike që KQZ-ja do duhej të merrej me to, policia e Kosovës ka angazhua rreth 6 mijë e 250 polic në këtë operacion dhe do të kenë orar 12 orësh të punës ,ne presim bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët edhe me të gjithë ata që kanë informacione për ndonjë çështje që lidhet me të drejtën e votimit ,sa i përket çështjeve të zgjedhjeve kemi pas telashe serioze sidomos viteve të fundit”, tha Hoxha./21Media


Në Gjilan mjegull, por qytetarët ia mësynë kutive të votimeve


“Mirë e lash por si është tani”- Edona merakun e ka te Drenasi, Era raporton nga Skenderaji


Një udhë e dy punë, çka e porosit Edona Burimin?

RTV21, po raporton drejtpërdrejt nga të gjitha qytetet e Kosovës ku po zhvillohen votimet për zgjedhjet e parakohshme parlamantare.

Nga Prishtina raporton gazetari, Burim Zariqi. Teska ishte duke njoftuar për hapjen e qendrës së votimit në Fakultetin Filologjik në Prishtinë ai mori edhe një porosi nga studoi prej Edona Demiqit./21Media


Këto janë qendrat e votimit me kusht në Kosovë

KQZ ka njoftuar se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë me kusht në cilëndo komunë të vendit.

Sipas KQZ-së, në secilën komunë do të funksionojë vetëm një Qendër e Votimit me Kusht.

Këto janë qendrat e votimit me kusht:


Radoniqi iu bën thirrje qytetarëve të votojnë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi,  pasi kreu obligimin e tij pëtr të votuar porositi qytetarëve të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Ai tha  se përkundër kohës së shkurt dhe sfidave, janë bërë të gjitha përgatitjet  e duhura dhe gjithçka është gati sa i përket KQZ-së.

“Dje e kemi pas procesin e votimit në diasporë dhe gjithçka ka shkuar qetë sipas njoftimeve. Uroj që të jetë një ditë e qetë dhe e  mbarë për të gjithë dhe procesi të mos ketë asnjë problem”, ka thënë ai.

Radoniqi ka thënë se pa përfshirë Amerikën dhe Kanadanë, numri i atyre që kanë votuar në diasporë është mbi 15 mijë.


Hapet qendra e votimit në Fakultetin  Filologjik në Prishtinë

Hapet qendra e votimit në Fakultetin  Filologjik në Prishtinë.

Është hapur qendra e votimit në Fakultetin  Filologjik në Prishtinë.

Siç raporton RTV21 nga kjo qendër janë 8 vend votime dhe rreth 6 mijë qytetarë me të drejt vote./21Media


Kosova voton

Qytetarët e Kosovës me të drejt vote sot e diele do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet e parakoshme paralmentare të cilat u shpallën pasi dështoi formimi i qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka bërë përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të së dielës. Për 1 milionë e 999 e 205 qytetarë më të drejtë vote do  të jenë të hapura 910 qendra të votimit. Zgjedhjet e 28 dhjetorit sipas KQZ-së do të monitorohen nga mbi 19 mijë vëzhgues të akredituar përshirë përfaqësues të subjekteve  politike  organizatave vendore e ndërkombëtare dhe mediave./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button