Shuhet ëndrra për Kosovën

(Lajm i përditësuar)
Ëndrra e Kosovës për Botëror, është shuar nga Turqia
Kombëtarja turke e mposhti atë të Kosovës me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Dardanët patën disa raste për të shënuar, madje goditën edhe shtyllën, por që asnjë nuk arritën ta finalizojnë me gola.
Goli nga Turqia u shënua nga Kerim Akturkoglu.
Turqia kthehet në Botëror pas 24 vjetësh.
🔴LIVE | Zhegrova futet në ndeshje
Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë zëvendësimin e parë. Edon Zhegrova u aktivizua në vend të Mërgim Vojvodës në minutën e 71-të.
🔴LIVE | Turqia në epërsi
Turqia ka shënuar gol kundër Kosovës në “Fadil Vokrri”.
Golin e epërsisë e realizoi Kerem Akturkoglu.
Ai shënoi në minutin e 53-të, pas asistimit të Orkun Kokçu.
🔴LIVE | Fillon pjesa e dytë Kosovë:Turqi
LIVE | Tension mes lojtarëve në ndeshjen Kosovê : Turqi
LIVE | Kosova : Turqia
Nis të mbushet “Fadil Vokrri”
Tifozë të shumtë tashmë ia kanë mësyrë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të mbështjellur me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë e simbole të tjera shtetërore e kombëtare, mijëra qytetarë ndodhen përreth stadiumit, disa prej tyre që do ta ndjekin ndeshjen nga brenda, e të tjerë që do t’i shijojnë momentet kulmore në afërsi të “Fadil Vokrrit”.
Janë publikuar formacionet zyrtare të finales së plejofit mes Kosovës dhe Turqisë, që nis nga ora 20:45.
Selektori i Kosovës, Franco Foda, nuk ka bërë asnjë ndryshim nga përbërja që fitoi në Sllovaki të enjten.
Formacioni i Kosovës:
Muriq: Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni: Hoxhaa, Muslija, Rexhbeçaj: Asllani, Muriqi.
Formacioni i Turqisë:
Ugurcan: Çelik, Kabak, Bardakci, Kadioglu: Yuksek, Calhanoglu, Kokçu: Yilmaz, Guler Akturoglu
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka kushtuar një postim emocionues Kombëtares së Kosovës, para përballjes historike të Kosovës me Turqinë.
Kjo ndeshje zhvillohet në kuadër të “play-offit” të Botërorit 2026, derisa do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
E para e shtetit në postimin e saj ka publikuar një video që më parë ishte publikuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, ku tregohet një historik i futbollit të Kosovës.
“Kosova ka lindur mes vështirësive e sakrificave, është rritur me krenari dhe sot qëndron në fushë me dinjitet, duke përfaqësuar ëndrrat e një populli të tërë. Ju jeni simbol i qëndresës, i guximit dhe i shpresës. Jemi me ju djema. Me Kosovën përgjithmonë. Me Dardanët” – shkroi Osmani.
Ndeshja Kosovë – Turqi do të luhet nga ora 20:45, dhe fituesi do të shkojë në turneun final të Botërorit 2026, që mbahet këtë verë në SHBA, Kanada e Meksikë.
“Gjithë kombi po brohoret për ju”, Ambasadorja Ziv mbështet Kosovën
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka mbështetur Kosovën në ndeshjen e ndaj Turqisë.
Përmes një postimi në X, Ziv u ka uruar Dardanët që puna dhe përkushtimi i tyre të shkëlqejnë sonte në fushë.
“Shpresoj që puna juaj në grup, përkushtimi dhe shpirti juaj të shkëlqejnë në fushë. Gjithë kombi po brohoret për ju”, ka shkruar ajo.
FFK: Gjithçka gati, sonte luhet për ëndrrën
Federata e Futbollit të Kosovës përmes një videoje ka paralajmëruar se gjithçka është gati për finalen e madhe kundër Turqisë.
“Sonte luhet për ëndrrën”, shkruan FFK.
Ndeshja historike luhet me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” synojnë ta bëjnë historinë duke u kualifikuar për herë të parë në Kampionatin Botëror.
Kjo lojë po pritet me padurim dhe shumë emocione nga të gjithë shqiptarët që sonte presin fitoren e kombëtarës së Kosovës.
Një natë për histori, Kosova është gati
Me fillim prej orës 20:45 sonte Kosova pret Turqinë në “Fadil Vokrri”. Ëndrrën shumëgjeneratëshe “dardanët” mund ta realizojnë sonte.
Në rast të fitores, Kosova kualifikohet në Kupën e Botës në futboll që sivjet mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.