10 persona u arrestuan në Mitrovicë

Policia sonte ka informuar se janë arrestuar 10 persona të dyshuar në Mitrovicë, për veprën penale “sulm”. Nga hetimet fillestare, sipas policisë, është bërë e ditur se në këtë incident janë përfshirë 11 viktima-ankues meshkuj kosovarë dhe 10 persona të dyshuar meshkuj kosovarë, prej tyre (2) të mitur, të cilët tanimë janë arrestuar.
“Sot, më 27.09.2021 rreth orës 16:00, në stacionin policor “Jugu” në Mitrovicë, është raportuar për një incident të ndodhur në rrugën “ Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ku ishin përfshirë disa persona. Lidhur me rastin kanë reaguar menjëherë njësitet relevante policore, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, ku si rezultat i hetimeve intensive dhe profesionale janë identifikuar dhe arrestuar dhjetë persona të dyshuar për përfshirje në rast.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Incidenti, sipas policisë, raportohet se ka ndodhur në kohën derisa viktimat janë ndodhur pranë një zyre për shërbime dhe programe të Ministrisë së Bujqësisë, e cila ndodhet në rajonin e Mitrovicës së Jugut. Personave të përfshirë në këtë incident, sipas policisë, në cilësi të viktimave iu është ofruar tretman mjekësor, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për tretman mjekësor.
“Të gjitha veprimet hetimore i janë paraqitur dy prokurorëve të rastit të nacionalitetit serb, të cilët trajtojnë rastet për të mitur dhe të rritur, dhe rasti i iniciuar është duke u hetuar për veprën penale ‘sulm’. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit (8) tetë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policorë, përderisa ndaj (2) dy personave të mitur rasti është duke u trajtuar.”, ka informuar tutje policia./21Media

Back to top button