100 ditë të Qeverisë Hoti, PDK-ja me kritika për pandeminë dhe Ujmanin

 

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme, 100 ditëshin e punës së qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

“Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve tonë nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre, Qeveria Hoti dështoi t’i dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. “Mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë afër kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë”.

Tutje, PDK-ja, theksoi se premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë.

“Në 100 ditë, Qeveria Hoti dështoi në përgatitjet për rifillimin me kohë të mësimit më 1 shtator duke krijuar konfuzitet të madh në mesin e shumë prindërve e mësimdhënësve. Me këtë qasje, kjo qeveri po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijve të Kosovës, të cilët ka mbi pesë muaj që janë shkëputur nga mësimi i rregulltë. Edhe rifillimi i mësimit i paralajmëruar më 14 shtator ka rrezik të dështoj sepse mungojnë përgatitjet e instruksionet si të veprohet në kushtet e pandemisë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas tyre, për shkak të përplasjeve e kërcënimeve të vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit, kjo qeveri e ka besimin shumë të ulët dhe qytetarët po zhgënjehen çdo ditë.

“Dështimi në qeverisjen e brendshme u karakterizua me dështimin në politikën e jashtme javën që shkoi, ku delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit”, theksohet ndër të tjera në komunikatën e PDK-së.

Në fund, PDK-ja cilësoi se qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë.

“Ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën”, përfundon komunikata e PDK-së. /21Media

Back to top button