Mesha për Pashkë me mesazh

Jashtë katedrales, janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës

Dhjetëra qytetarë morën pjesë në meshën e ditës së Pashkëve në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, që për mesazh ka pasur paqen në mes njerëzve.
Don Fatmir Koliqi, i cili e udhëhoqi meshën e ditës së Pashkëve, tha se mesazhi që këtë vit Ipeshkvi i Kosovës ka zgjedhur është po i njëjti me mesazhin e parë të cilin Jezusi iu sjellë apostujve ‘paqja me ju’.

“Mesazhi i parë i cili Jezusi ju sjell apostujve, nxënësve të vetë është paqja me ju, të cilin e ka përzgjedhë edhe ipeshkvi i Kosovës për sivjet. Gjithashtu në ungjillin e sotëm kemi dëgjuar se si dy apostujt e vetë shkojnë dhe e zbulojnë që Jezusi është ringjallur dhe është ai shikimi i parë i cili e ndryshon jetën e tyre, por edhe besimin të cilin e bënë që të hapet zemra e tyre. Kështu që, ashtu si Jezusi na e ka dhënë mesazhin neve përmes apostujve, edhe ne e përcjellim te të gjithë që të hapim zemrat e tona për të tjerët, mos leni varre të mbyllura por të hapura dhe të ringjallemi në një jetë më të bukur dhe më të mirë për vendin tonë”, tha ai.

Jashtë katedrales ku u mbajt mesha e ditës së Pashkëve, janë parë forca të shtuara të Policisë së Kosovës, por që sipas Don Fatmir Koliqi, janë vetëm masa që merren kur ka tubime të mëdha, por që nuk ka pasur kurrfarë shqetësimi tjetër.

“Ju e patë që nuk kam qenë aspak i frikësuar, as besimtarët nuk kanë qenë të frikësuar, sigurisht që e gjitha këto që i keni parë ju jashtë janë masa që merren kur ka tubime të mëdha, që të jetë rendi, por nuk ka pasur kurrfarë frike dhe shqetësimi. Gjithmonë lajmet mediatike kanë impakt psikologjik tek njerëzit, por nuk ka pasur asgjë që na frikëson neve, pikërisht me gëzim dhe me plot hare i kemi festuar së bashku”, tha Koliqi.

Ndërsa, qytetari Dedë Abazi, tha se populli shqiptarë gjithmonë ka ditur që të festojë dhe të kremtojë pashkët dhe bajramin së bashku, pasi që mbi të gjitha janë shqiptarë, kremtojnë dhe jetojnë së bashku.

Në përfundim të meshës, Katedralja Nënë Tereza kishte përgatitur rreth 1 mijë vezë të pashkëve të cilat iu dhuruan fëmijëve, por edhe të pranishmëve të tjerë të kësaj meshe.
Gjatë ditës së sotme, në ora 17:00 do të mbahet meshë në Kishën e Shën Ndout në Ulpiane. Po ashtu, në orën 19:00 do të bëhet pritja solemnde për Pashkë në Rezidencën e Ipeshkvisë e organizuar nga Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Back to top button