Pence: Nuk përjashtohet asnjë opsion në negociatat me Penianin
Zëvendës-presidenti i SHBA-së vazhdon vizitën në Korenë e Jugut
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e përjashtojnë asnjë mundësi në bisedimet me Korenë e Veriut, deklaroi zëvendës-presidenti amerikan, Mike Pence , gjatë vizitës në zonën e demilitarizuar mes dy Koreve.
Siç tha Pence, të gjitha opsionet mbesin në tavolinë, sa i përket reagimit të Uashingtonit ndaj provokimeve më të reja të Penianit,shkruan rtv21.tv
Gjatë vizitës në fshatin kufitar, Panmunxhom, Pence tha se Uashingtoni dëshiron të vendoset siguria nëpërmjet mjeteve paqësore, me negociata, por shtoi se të gjitha opsionet mbesin me tavolinë, përderisa Uashingtoni qëndron përkrah popullit të Koresë së Jugut.
Zëvendës-presidenti amerikan më tutje shtoi se populli i Amerikës gjithmonë është në kërkim të paqes, por qartësoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë kanë kërkuar paqen nëpërmjet fuqisë dhe porositi se askush nuk duhet të dyshoi në vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur aleatët e saj.
Në anën tjetër, ministria e Jashtme e Kinës sot shprehu pakënaqësinë e Pekinit për shkak të sistemit anti-raketor, TAD, të cilin Uashingtoni po e stacionon në Korenë e Jugut, duke këmbëngulur në bashkëpunimin e dy palëve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Reagimi i Kinës pasoi, pasi që Pence dhe Presidenti i përkohshëm i Koresë së Jugut, Hvang Kjo An, sot konfirmuan planin për vendosjen e këtij sistemi anti-raketor./21Media