​Pas 23 vitesh, Shkelzen Lushtaku largohet nga KF Drenica

Futbollisti i njohur kosovar, Shkelzen Lushtaku, ka vendosur tw largohet nga klubi i futbollit ‘Drenica’, pas 23 viteve përkushtim dhe dashuri ndaj sportit që e ka përcaktuar jetën e tij.

Në një postim emocional, Lushtaku ka falënderuar klubin KF Drenica, të cilin e quan “pjesë e shpirtit tim”, duke kujtuar rrugëtimin nga hapat e parë në futboll deri tek titulli i fundit, me të cilin largohet nga fusha si kampion.

“Që nga ditët e rinisë sime, e deri më sot unë e kam jetuar këtë rrugëtim me pasion të sinqertë dhe dashuri të pakusht. Kam qenë krenar që isha pjesë e Drenicës, dhe sot largohem si një njeri i lumtur, sepse largohem si kampion!”, shkruan Lushtaku.

Ai nuk ka lënë pa falënderuar presidentët e klubit, bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët besnikë “Shqiponjat e Zeza”, duke theksuar se në ditët më të vështira të klubit ka dhënë gjithçka për ta çuar Drenicën në majë, me dinjitet e nder.

Një mirënjohje të veçantë ua ka dedikuar edhe emrave si Afrim Jashari, Tahir Lushtaku dhe Fadil Rama për mbështetjen e pakursyer, ndërsa falënderimet më të mëdha ia ka adresuar familjes që, siç thotë ai, “më qëndroi pranë në çdo moment dhe ishte gjithmonë forca ime më e madhe”.

“Edhe pse fizikisht nuk do të jem më në fushë, me zemër do të jem gjithmonë aty, me ju, me Drenicën time të dashur. Sepse Drenica nuk është vetëm një klub. Është zemra ime, është identiteti im, është jeta ime”, përfundon ai.

Shkelzen Lushtaku paralajmëroi gjithashtu se së shpejti do të bëjë të ditur të ardhmen e tij profesionale.

Back to top button