​Pas aksionit të sotëm, reagon BKS: Rasti është iniciuar nga ne si palë e dëmtuar

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka njoftuar se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe po raportohen bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm, raporton KosovaPress.

“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Sipas Byros Kosovare të Sigurimeve ata kanë bashkëpunuar dhe po vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë të plotë me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës.

“Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve. Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin”, ka njoftuar BKS-ja.

Në fund të njoftimit Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti.

Nga aksioni i sotëm I zhvilluar nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Przren në mesin e të arrestuarve janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha.

Back to top button