13 raste të reja me COVID-19 në Gjilan

 

Në Gjilan sot u konfirmuan edhe 13 raste të reja me COVID-19 nga 40 mostrat e marra mbrëmë, ndërkaq janë në pritje të rezultateve për 26 mostra. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në mbledhjen e rregullt të Komitetit të Emergjencave në Gjilan.

Ismajli ka kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha institucioneve në Komunën e Gjilanit, në mënyrë që rastet me Covid-19 të shkojnë drejtë pikës zero. Duke iu referuar mostrave që janë marrë mbrëmë, kryesisht në personelin shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm, nënkryetari Ismajli ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët, punëtorët e shtetit etj., që të kenë kujdesin maksimal në respektimin e rekomandimeve të institucioneve të shtetit për përdorimin e masave mbrojtëse dhe distancës sociale.

“Përdorimi i masave mbrojtëse është tashmë përditshmëri e jetës sonë. Kjo është për qëllimin më të mirë, për shëndetin tonë, të familjeve tona dhe shëndetin publik në përgjithësi. Gjendja bazuar edhe në institucionet shëndetësore, por edhe në ato të sigurisë është e qetë dhe nën kontrollë”, ka thënë mes tjerash ai.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, në Gjilan janë regjistruar gjithsej 773 raste pozitive, prej tyre 564 janë shëruar plotësisht, 178 janë raste aktive dhe 31 qytetarë kanë humbur betejën me Covid-19. Të hospitalizuar janë 57 raste që janë nën kujdesin e stafit mjekësor.​/21Media

Back to top button