15 Vite Pavarësi, mbi 900 profesionistë shëndetësorë më pak

Me ikje të mjekëve e të infermierëve, mungesë të barnave e materialit shpenzues po përballet sektori i shëndetësisë edhe në 15 vjetorin e pavarësisë.
Opozita fajëson qeverinë  për gjendjen e krijuar, derisa ekspertë të fushës vlerësojnë se gjendja në këtë sektor është e rëndë teksa kërkojnë veprime urgjente të Qeverisë.
Përvjetori i 15-të i pavarësisë së Kosovës e gjen sektorin e shëndetësisë me mbi 900 profesionistë shëndetësor më pak.
Vetëm vitin e kaluar nga Kosova u larguan 211 mjekë dhe 637 infermierë ndërsa vetëm gjatë këtyre dy muajve, u larguan 42 mjekë dhe 59 infermierë.
Në Odën e Mjekëve dhe të infermierëve shprehin shqetësim për ikjen e tyre nga Kosovës teksa përmendin shkaqet.
Por jo vetëm ikja e profesionistëve shëndetësor është problem për shëndetësinë e Kosovës. Mungesa e barnave dhe  materialit shpenzues është një tjetër sfidë për këtë sektor.
Opozita fajëson qeverinë për gjendjen e krijuar.
“Nuk është gjendje e mirë në sektorin e shëndetësisë në këto vitet e fundit ka pasur degradim të shëndetësisë …”, tha Bekim Haxhiu-PDK.
“Shëndetësia asnjëherë s’ka qenë më keq. S’kemi menaxhment siç duhet. Kanë ngecë shumë aspekte… ndërsa premtimet janë të mëdha por veprimet mungojnë”, tha Shemsedin Dreshaj-AAK.
 Se gjendja në sektorin e shëndetësisë është e rëndë e thotë edhe eksperti i fushës së shëndetësisë, Talat Gjinolli.
“Jemi dëshmitar të lajmeve ditore rreth pakënqaisëë së pacinentëve për shkak të mungesave të ndryshme duke nisur nga ilaçet, aparaturat e ndryshme pritjet e gjata….dhe kjo është rrjedhojë e mospasjes së një sistemi funksional shëndetësor”, tha Talat Gjinolli, ekspert i fushës së Shëndetësisë
Lidhur me problemet në shëndetësi, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë se ka filluar të ndërmerr masa për zgjidhjen e tyre.
“Para nesh kemi një seri urgjencash për të cilat jemi bërë gati të veprojmë e për disa sosh veçse kemi filluar zbatimin e masave. Urgjencat prioritare dhe operative sigurimi në sektorin publik i profesionistëve shëndetësor në fushat deficitare, zvogëlimi i listës së pritjes në nivelin terciar, ndërhyrjet në infrastukturë që ulin shpenzimet e pacientëve, vendosja e standardeve për procedurat e pranimit të pacientëve, kontrolli i sigurisë së barnave përfshirë e kontrollit të tregut, mbikëqyrja e institucioneve privat dhe sigurisë së shërbimeve në to”, deklaroi Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë
Nga 198 milionë euro sa ishte në vitin 2022, buxheti për shëndetësinë gjatë këtij viti është 296 milionë euro./21Media

Back to top button