15 vjet burg për burrin që mbyti gruan duke e goditur për asfalti

 

 

Gjykata Themelore në Prizren, ka dënuar me 15 vjet burg, të akuzuarin I.H., për vrasjen e bashkëshortes së tij.

“Më datë 31.05.2019 rreth orës 17:30 minuta, I.H. duke drejtuar veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, i ‘a kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e ekspertizës mjekoligjore, nga të cilat lëndime më vonë e ndjera vdes në QKUK në Prishtinë me datë 15.06.2019”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar./21Media

 

Back to top button