150 bujqë fitojnë motokultivatorë nga komuna

Komuna e Malishevës, përkrahë 150 bujqë me motokultivatorë

Komuna e Malishevës njofton se në kuadër të përkrahjes me mjete konkretizuese për bujq komuna sot ka filluar shpërndarjen e 150 motokultivatorëve për 150 bujqë. Në ceremoninë e fillimit të shpërndarjes së motokultivatorëve, për bujqit e Malishevës, siç bëet e ditur morën pjesë edhe i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori komunal për bujqësi, Murat Hoxha, të cilët edhe i kanë uruar bujqit përfitues.

“Ne po mundohemi që ti përkrahim bujqit përmes ndihmave të ndryshme, me qëllim të stimulimit dhe marrjes me bujqësi, si dega më e fuqishme ekonomike te ne dhe në kuadër të kësaj përkrahje, janë edhe këta motokultivator. Punimi i tokës dhe prodhimet vendore bujqësore, janë me rëndësi, andaj uroj që këta motokultivator, t’iu ndihmojnë juve në kryerjen e punëve të përditshme në bujqësi dhe kultivimin sa më të madh të produkteve vendore”, tha kryetari Begaj, me rastin e fillimit të shpërndarjes së motokultivatorëve për 150 bujq të Komunës së Malishevës.

Ndërsa, drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha tha se 150 motokultivatorë janë pjesë e përkrahjes për bujqit, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për të gjitha ata që merren me bujqësi. “Qëllim i yni është lehtësimi i punës, përmes subvencioneve dhe këta motokultivator, janë pjesë e këtij angazhimi, sikur edhe subvencionimi në fushat tjera të bujqësisë”, tha ai.

Sipas Hoxhës, shpërndarja e motokultivatorëve është projekti i katërt i madh i subvencionimit në bujqësi për këtë vit, pas atij të serrave, makinave mjelëse dhe përkrahjes në bletari.

Projekti për përkrahje me motokultivator është mundësuar nga buxheti komunal i Malishevës me një shumë prej rreth 60 mijë eurove./21Media

Back to top button