17 institucione të pavarura u goditën nga kriza institucionale

Kriza institucionale nëntë mujore goditi një numër institucionesh të pavarura, ndër të cilat Komisionin e Pavarur të Mediave organ ky tashmë me bord jofunksional si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit vitin që lamë pas.
Në këtë institucion thonë se vonesa në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të shkaktojë grumbullim të lëndëve në këtë organ.
“Komisioni i Pavarur i Mediave ka mbetur pa kuorum për shkak të skadimit të mandateve të disa prej anëtarëve të saj. Kjo siç dihet ka vazhduar gjatë gjithë vitit 2025, si pasojë e mos konstituimit të Kuvendit. Por me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, edhe një kohë do të kemi vonesa deri në emërimin e anëtarëve dhe formimin e kuorumit të nevojshëm. Gjithashtu me lejoni të sqaroj se përveç mungesës së vendimmarrjes, puna e KPM-së ka vazhduar dhe Zyra Ekzekutive e KPM-së vazhdon me kryerjen e detyrave të saja ditore në respektim të obligimeve ligjore. Për me tepër, Plani i Punës për vitin 2025 është zbatuar me efikasitet, por vonesa në formimin e institucioneve të reja, do të rezultojë me grumbullimin e lëndëve të cilat kërkojnë vendimmarrje nga Komisioni dhe vonesa në trajtimin e tyre”, tha Arsim Dreshaj nga Komisioni i Pavarur i Mediave
Edhe Gjykata Kushtetuese është në mesin e institucioneve që kanë pësuar nga kriza institucionale duke funksionuar në mungesë të dy gjyqtarëve.
Ky institucion thekson nevojën për plotësim të dy pozitave sa më parë që është e mundur.
“Gjykata Kushtetuese mund të vazhdojë të funksionojë dhe të vazhdojë me procesin e vendimmarrjes deri më 9 gusht të vitit 2027, kur edhe përfundon mandati i (5) gjyqtarëve të përbërjes aktuale. Vlen të theksohet se, meqenëse trupi gjykues aktualisht përbëhet prej (7) gjyqtarëve, sa edhe është kuorumi i nevojshëm për vendimmarrje lëndore, është shumë me rëndësi që të plotësohen (2) pozitat vakante aktuale për gjyqtarë kushtetues sa më parë që është e mundur”.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se krahas institucioneve të tjera të pavarura që janë në prag të krizës është edhe Gjykata Kushtetuese teksa paralajmërojnë thellim të dëmit për këto institucione në rast se nuk krijohen shpejtë institucionet e reja.
“Aktualisht janë 17 institucione të pavarura që presin anëtaret e zgjedhur nga Kuvendi. Disa institucione të pavarura janë në prag të krizës, gjykata kushtetuese që është në kufirin e kuorumit dhe imagjinoni situatën sikur një anëtar i gjykatë s’jep dorëheqje…”, tha Kolshi.
Se numri i institucioneve të pavarura jofunksionale mund të rritet në rast ka vonesa në krijim të institucioneve të reja e thotë edhe avokati, Ardian Bajraktari
“Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme sepse një numër të konsiderueshëm te organeve të tilla jashtëzakonisht të rëndësishëm ka bërë dhe i bënë jofunksionale. Për shkak te mos zgjedhjes se anëtarëve te tyre dhe kjo paraqet pasoja në formë zingjirore, pamundësinë e qytetarëve për të marrë shërbime. Të kemi reflektim nga ane e te zgjedhurve që vullnetin e qytetarëve të shprehur ne zgjedhje ta materializojnë sa më shpejtë në mënyrë që t’i themelojnë institucionet sepse ne këtë mënyrë pasojat për vendin janë të mëdha. Sa i përket çështjes së institucioneve të pavarur anr i tyre do shkoj gjithnjë duke u rritur që do jenë jofunksionale prandaj shpresoj të marrim mësim”, tha Bajraktari.
Ndër institucione të tjera që kanë pësuar nga kriza institucionale janë edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, RTK-ja, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike e të tjera./RTV21/21Media