17 vjet shtet, raportet me aleatet të vështira!

Në 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës analistët politik vlerësojnë se raportet e Kosovës me aleatët e saj po hyjnë në një fazë të përplasjeve me SHBA-të, BE-në dhe Britaninë e Madhe. Sipas tyre, Kosova ka pësuar regres në raport me ndërkombëtarët në këto katër vitet e fundit.
Në mesin e shumë personaliteteve të fuqive botërore që uruan 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në letrën e tij të urimit ndër të tjera shkroi se lidhjet midis popujve të Kosovës dhe SHBA-së janë të forta dhe se SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në urimin e Donald Trump.
Por, ky 17 vjetor i shtetësisë së Kosovës në cilin nivel i gjen raportet me aleatët sipas ish-diplomatit njëherësh drejtor i Institutit KIPRED, Lulzim Peci.
“Po hyjmë në një fazë të përplasjeve me SHBA-të edhe vendet e BE-së duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe. Kjo Kosovën e gjen një konstelacion shumë të komplikuar i cili nuk ka ekzistuar si i tillë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Nëse i shikojmë marrëdhëniet me aleatët unë besoj se ne kemi pasur një regres në katër vitet e fundit sepse kemi mbetur pa e shfrytëzuar presidencën e zotit Biden që ta përfundojmë marrëveshjen me Serbinë kryesisht për shkak të taktikave tona të brendshme politike duke lënë të pakënaqur shumicën e vendeve të BE-së”, ka thënë Peci për rtv21.
Profesori universitar i shkencave politike, Dorajet Imeri, vlerëson se raportet e Kosovës me aleatët e saj në këtë 17 vjetor të pavarësisë duhet të shihen nga një perspektivë gjithëpërfshirëse. Sipas tij, Kosova e ka akoma sfidë që të forcojë raportet me aleatët.
“Përpjekjet e Kosovës për të forcuar pozitën e saj të brendshme për të ushtruar sovranitetin e Kosovës është përkrahur nga aleatet. Por, në planin e jashtëm për Kosovën mbetet sfidë forcimi i subjektivitetit të Kosovës”, ka thënë Imeri.
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, kërkon nga përfaqësuesit politik që të mos veprojnë në kundërshtim me politikat Amerikane sepse, siç thotë, kjo mund ta ndryshojnë mbështetjen e SHBA-së ndaj Kosovës.
“Unë mendoj se çfarë ka thënë presidenti Trump është që e ka theksuar edhe më herët presidenca e zotit Biden kur e ka vënë fokusin tek populli dhe jo tek Qeveria. Kjo tregon për marrëdhëniet e qëndrueshme, mirëpo një gjë duhet ta kemi parasysh që marrëdhëniet mes popujve dhe në mes qeverive ka mundësi që të ndërrohen dhe të mos mbeten statike dhe ne nuk duhet që ti marrim si të tilla sepse këtu tregohet një dëshirë për marrëdhënie të mira me popullin e Kosovës por nëse Qeveritë e tona marrin kahje të gabueshme apo në kundërshtim të plotë me vijat e trasha me politikën Amerikane ato edhe mund të ndryshojnë”, ka thënë Peci.
Profesori universitar, Dorajet Imeri, tha se Kosova nuk mund të vazhdojë rrugëtimin e saj euroatlantik pa mbështetjen e aleatëve të saj.
‘’Kosova nuk mund të shkoj me tej nëse nuk zgjedh që të bashkëpunoj me aleatët në mënyrë strategjike”.
Ndërkohë, Kosova synon anëtarësimin në BE, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare./RTV21/21Media