195 personave iu njihet statusi i viktimës të dhunës seksuale gjatë luftës

“Kemi edhe një numër të refuzuar, por palët kur e kanë marrë vendimin e parë kanë të drejtën në rishqyrtim te komisioni”

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione sot u takua me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Takimi zgjati dy orë dhe për shkak të konfidencialiteti, ai u mbajt pa praninë e mediave.

Pas përfundimit të takimit u bë e ditur se 911 persona kanë aplikuar për t’iu njohur statusi, ndërsa  prej tyre 195 personave iu është njohur statusi, si viktima të dhunës seksuale.

Kryetarja e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Balje tha se janë njoftuar se çka ka bërë Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, në vitin e parë të punës.

Sipas saj, do të ishte shumë me rëndësi  që sa më shpejt të krijohet një data-bazë, si dhe të bëhet e ditur se konfidencialiteti i atyre që duan ta marrin këtë status është i lartë. Ajo u shpreh se si anëtar të komisionit kanë ofruar përkrahje kur dihet se tema është mjaft e ndjeshme.

“Është një çështje shumë sensitive dhe ne do të bëjmë edhe si komision ndoshta më shumë për me sensibilizua gratë me i paralajmërua për këtë punë…Ne si komision për të drejtat e njeriut është shumë e rëndësishme ne me pas edhe një data bazë për Kosovën, të cilën ne mundemi me e shfrytëzua si politikanët edhe në Kosovë edhe jashtë Kosovës”, theksoi ajo.

Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, Minire Begaj u shpreh se puna që po bëhet në këtë komision do të ndihmojë për qasjen në drejtësi.

Ajo sqaroi se deri tani kanë pranuar 911 aplikacione, ku prej tyre iu njihet statusi 195 personave që gëzojnë pension prej 230 euro.

“Po mundohemi që rastet sa më shpejt me i kryer, por të keni parasysh se numri veç fakti që ne një seancë e mbajmë mbi tri herë ose pesë herë të merr kohë , por ne konsiderojmë se më mirë të marrim kohë dhe të jemi të sigurt në atë çka e administrojmë si provë edhe si aplikacion për të vetmen arsye të mos ia bëjmë të padrejtë , është një kohë që po merr po megjithatë jemi objektiv dhe të sinqertë në këtë çështje…Prej momentit të aplikimit në nivel vendi kemi pasur 911 aplikacione, prej tyre i kemi njohur statusin e personave të dhunuara gjatë luftës 195, shumica e tyre veç e marrin edhe pensionin prej 230 euro. Kemi edhe një numër të refuzuar, por palët kur e kanë marrë vendimin e parë kanë të drejtën në rishqyrtim te komisioni, nëse ndonjë provë të re apo konsiderojnë që ua kemi bërë të padrejtë”, u shpreh Begaj.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që shoqëria dhe viktimat të sensibilizohen sa më shumë përmes fushatave të ndryshme ndërgjegjësuese.

“Qëllimi i takimit ishte për të bashkëpunuar, pse jo ta kemi një fushatë vetëdijësuese, një ndërgjegjësim shoqëror ta them për këtë pjesë për arsye se të emëruarit e popullit shumë domethënë për të ndihmua për këtë proces, edhe pse ne nuk do të thotë që nuk kemi bërë në të kaluarën, por duhet të shtohet çështja e sensibilizimit, kampanja të ndryshme për t’i ofruar edhe për t’i nxitur për me aplikua për arsye se është e drejtë e garantuar me ligj, dhe nëse ato viktima, ato persona kanë përjetuar një krim atëherë duhet të aplikojnë dhe ta marrin një njohje së pari të statusit, dhe më pastaj edhe pensionin”, tha ajo.

Ndryshe, procesi për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë ka nisur në fillim të muajit shkurt të vitit të kaluar, përmes së cilit personat e dhunuar seksualisht fitojnë të drejtën për të marrë pensionin prej 230 eurosh.

Back to top button