2 mijë e 709 të vdekur nga COVID-19
Prej 13 marsit të vitit të kaluar, kur u shfaqën rastet e para, e deri më sot 154 mijë e 607 qytetarë rezultuan me COVID-19.
COVID-19 mori edhe jetën e mijëra qytetarëve në Kosovë.
Deri më tani sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, 2 mijë e 709 qytetarë kanë vdekur shkak i infektimit me koronavirus.
Vetëm gjatë javëve të fundit është raportuar për numrin e lartë të vdekjeve, por edhe rasteve pozitive me COVID-19.
Se situata e krijuar nga pandemia COVID-19 është e rëndë e thotë edhe i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Për këtë, kryeministri Kurti vizitoi të mërkurën IKShPKS-në.
Kurti pas vizitës në IKSHP falënderoi profesionistët shëndetësor për punën që po e bëjnë, ndërsa theksoi se vaksina është rruga më e mirë karshi këtij virusi vdekjeprurës me rrezikshmëri të lartë. Ai konfirmoi se aktualisht Kosova ka në stoqe 580 mijë vaksina Pfizer dhe 20 mijë vaksina AstraZeneca.
Institucionet shtetërore e shëndetësore po bëjnë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen kundër COOVID-19. E pas situatës së keqësuar, ministri Vitia tha se është e nevojshme që tani të merret edhe doza e tretë e vaksinës antiCOVID-19.
Sipas raportit të fundit të IKShPK-së prej fillimit të procesit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 955 mijë e 811 doza të vaksinës, kurse 329 mijë e 246 janë vaksinuar me dozën e dytë të kësaj vaksine.
Në total numri i rasteve aktive është 22 mijë e 223.