20 mijë euro shpërblim për informacion që mundëson arrestimin e autorit të vrasjeve në Deçan

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin, Xhelal Sveçla dhe Policinë apeluan te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit të vrasjes në Gllogjan ta ndihmojnë policinë me informacione dhe për këtë ofrojnë shpërblim prej 20 mijë euro, për këdo që mund të japë informacione që shpiejnë në ndriçimin ose zbulimin e këtij rasti.
Siç informoi sot Zyra e Kryeministrit, policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.
“Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192, dhe
e-mail: info@kosovopolice.com Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.”, u bë e ditur në komunikatën e Qeverisë.
Ndryshe, të premten rreth orës 19:00 tre persona janë vrarë dhe një është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të një autobusi, në fshatin Gllogjan të Deçanit. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka deklaruar se dyshohet se autobusi është sulmuar me kallash AK-47 nga një i dyshuar i panjohur. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa rasti është në procedurë hetimore./21Media 

Back to top button