20 milionë franga nga Zvicra për menaxhimin e ujërave në Kosovë

Kjo bëhet me qëllim të përmirësimit të sektorit të ujërave në Kosovë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me këshilltarin e tij të jashtëm, i cili vjen nga Zvicra, Pierre Kohler dhe këshilltarin e Këshillit Ndërministror për Ujëra, Baton Begolli kanë pritur në takim ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet ku biseduan për sfidat e sektorit të ujërave dhe shkëmbimin e ideve për ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme në përmirësimin e sektorit të ujit në vendin tonë.

Matoshi prezantoi para ambasadorit zviceran sfidat dhe projektet që MMPH po implementon  në përmirësimin e ujërave, në ndërtimin e rezervave të reja ujore, rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza etj.

Nga ana tjetër ambasadori Lebet informoi ministrin Matoshi që Zvicra do të fillojë një programi 12 vjeçar me vlerë prej 20 milionë franga zvicerane për menaxhimin e integruar të resurseve ujore në Kosovë.

Temë tjetër e takimit ishte mbarëvajtja e takimit të fundit të Këshillit Ndërministror për Ujërat ku Ministri shprehi interes që përkrahja ndaj Ministrisë në veçanti të jetë më e madhe për të përballuar sfidat e sektorit. Ambasadori Lebet shprehi vlerësimin e tij se tani ka një partner të përkushtuar në Ministri dhe vlerësoi gatishmërinë e Ministrit në veçanti dhe kabinetit të tij për bashkëpunim.

Back to top button