20 vjet nga konferenca e Rambujesë

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s kishin filluar bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë

Para 20 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i kishte filluar punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili ishte mbajtur në afërsi të Parisit, kishte synim t’i jepte fund luftës në Kosovë dhe gjetjen e një zgjidhje për paqe afatgjate.

Iniciues të konferencës, që kishte zgjatur deri më 23 shkurt  ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i shteteve të BE-së.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht kishte pranuar këtë propozim-marrëveshje kishte mbrojtur qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’iu lejohej kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të ishin në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që kishte filluar më 15 mars në Paris kishte përfunduar pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk kishte qenë i suksesshëm. Ai nuk ia kishte dalë ta bindte presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq që të pranonte marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s kishin filluar bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet kishin përfunduar më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që kishte paraparë tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte miratuar rezolutën 1244, me të cilën ishte vendosur protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-u si mision civil dhe KFOR-i, mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë.

Back to top button