2024 vit i rëndë për xhepin e qytetarëve

Viti 2024 u cilësua si një vit i rëndë ekonomik. Inflacioni i lartë, pagat e ulëta ishin shqetësimet kryesore të qytetarëve. Ndërkaq njohës të ekonomisë përmendin pa-aftësinë e qeverisë për ta larguar Kosovën nga masat ndëshkuese të BE-së dhe mos realizimin e projekteve kapitale

Ministri i financave, Hekuran Murati e cilësoi 2024 si një vit të suksesshëm dhe për herë të parë në historinë e vendit të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrat 3 miliardë euro. Por, pavarësisht suksesit që flet ministri Murati 2024 për qytetarët ishte vit tejet i rëndë dhe kërkesë kryesore për 2025 është ngritja e pagave.

“Viti 2024 ishte vit mjaft i rëndë, çmimet e nalta pagat e ulëta, të rriten të paktën pagat…”, tha një qytetar për rtv21.

“Vit i ranë u kanë, bile me u rritë pagat”, tha një qytetar tjetër.

“Kurgjo hiç nuk pres secili ma i zi se tjetri”, u shpreh një qytetar për rtv21.

Viti 2024 ishte pa ndonjë efekt pozitiv në aspektin e ekonomisë, thotë kryetari i AKB-së, Agim Shahini. Sipas tij, qeveria nuk arriti ta largojë Kosovën nga masat ndëshkuese të vendosura më shumë se një vjet më parë gjë e cila sipas tij i solli Kosovës rreth 1 miliard euro humbje.

“Presim qeveri të re, presim që ajo të ketë qasje tek partnerët ndërkombëtar, dialog me partnerët socioekonomik marrëdhënie ontraktuale me bizneset, strategji zhvillimore të kërkesave dhe mos injorim të kërkesave të biznesit sepse vetëm me zhvillim të biznesit zhvillohet shteti. Qasja e qeverisë të jetë gjithëpërfshirëse”, tha Shahini.

Sipas raporteve të bankës botërore, ekonomia e Kosovës pati një rritje të ngadalësuar ekonomike prej 3.8. Rritje kjo e cila nuk i përmbushë nevojat që ka Kosova siç janë sfida me papunësinë dhe importi i lartë. Ndërkaq njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustafë Kadriaj, thotë se politikat ekonomike të qeverisë nuk janë shpresëdhënëse dhe se avaz i njëjte do të vazhdojë edhe në vitin 2025.

“Ne po e shohim që nuk ka politika zhvillimore, nuk ka politika që ndihmon biznesin në mënyrë që biznesi të rritë arkën e shtetit, shohim politika të lëmoshes shtesave dhe këto nuk sjellin ndonjë zhvillim të qëndrueshëm”, tha ai për rtv21.

Sipas raportit të fundit të bankës botërore rritja ekonomike gjatë vitit 2025 do të jetë e ngjashme me atë të vitit 2024, një rritje prej 3.9%./RTV21/21Media

 

Back to top button