21 trupa u gjetën, hetohet predikuesi që u ka thënë ndjekësve të vdisnin nga uria

Policia keniane ka zhvarrosur 21 trupa pranë qytetit bregdetar të Malindi, ndërsa po hetojnë një predikues që thuhet se u ka thënë ndjekësve të vdisnin nga uria.

Fëmijë të vdekur ishin mes atyre që u zhvarrosën dhe policia tha se priste të gjente edhe më shumë trupa.

Varret e cekëta janë në pyllin Shakahola, ku 15 anëtarë të Kishës Ndërkombëtare të “Lajmit të Mirë” u shpëtuan javën e kaluar.

Predikuesi Paul Mackenzie Nthenge është në paraburgim, në pritje të paraqitjes në gjykatë.

Transmetuesi shtetëror KBC e përshkroi atë si një “udhëheqës kulti” dhe raportoi se deri më tani janë identifikuar 58 varre.

Mackenzie e ka mohuar keqbërjen, por i është refuzuar lirimi me kusht.

Ai dyshohet se u tha ndjekësve të vdisnin nga uria në mënyrë që të “takonin Jezusin”.

E përditshmja keniane “The Standard” tha se patologët do të marrin mostra të ADN-së dhe do të kryejnë teste për të përcaktuar nëse viktimat vdiqën nga uria.

Policia arrestoi Mackenzie më 15 prill pasi zbuloi trupat e katër personave të dyshuar se kishin vdekur nga uria.

Victor Kaudo i Qendrës së Drejtësisë Sociale në Malindi tha për Citizen TV “kur jemi në këtë pyll dhe vijmë në një zonë ku shohim një kryq të madh dhe të gjatë, e dimë që do të thotë se më shumë se pesë njerëz janë varrosur atje”.

Predikuesi dyshohet se i emëroi tre fshatra Nazaret, Betlehem dhe Jude dhe i pagëzoi ndjekësit në pellgje përpara se t’u thoshte të agjëronin, raporton “The Standard”.

Kenia është një vend fetar dhe ka pasur raste të mëparshme të njerëzve që janë joshur në kisha apo kulte të rrezikshme, të parregulluara./21Media

Back to top button