23-vjeçari tentoi t’i ikë Antidrogës, e kapin pas 5 minutash, i konfiskohet drogë, armë dhe rreth 1 mijë euro

Një 23 vjeçar i cili dyshohet se ka kryer veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, është arrestuar sot në Prishtinë.

I dyshuari fillimisht kishte tentuar të largohej, dhe kishte hedhur në tokë një qese të dyshuar me narkotikë.

“Me datë 24.04.2023 rreth orës 15:35, hetuesit e Sektorit Qendror të Antidrogës së Policisë së Kosovës (DHTN-së në Prishtinë) pas një pune hetimore dhe punës operative në teren kanë arritur tek informacionet relevante ku dyshohej se një person i dyshuar është duke bërë shitblerje të substancave narkotike. Pas një pune profesionale të hetuesve policor personi i dyshuar mashkull kosovar me iniciale (F.D; viti i lindjes 2000) është identifikuar dhe është takuar në rrugën ‘Beqë Lokaj’, në Prishtinë, të cilin Policia e ka paralajmëruar të ndalet, por i njëjti ka hedhur në tokë një qese me substancë të dyshuar narkotike (me peshë prej 30 gramëve) dhe ka filluar të ikë duke vrapuar me shpejtësi”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se Policia ka vazhduar ndjekjen aktive të personit të dyshuar dhe brenda pesë minutave ka arritur ta ndalojë dhe arrestojë të njëjtin, ku pas kontrollit në trupin e tij është gjetur një pistoletë 7.65 mm, me një karikator me pesë fishekë, 965 euro si dhe një telefon celular (Iphone 13 pro max).

Në konsultim me organet e drejtësisë është bastisur- kontrolluar shtëpia e të dyshuarit në Prishtinë, nën dyshimin e bazuar në lidhje me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”, vepër kjo e sanksionuar me kodin penal të RKS-së.

“Gjatë operacionit të bastisjes në shtëpinë e personit të dyshuar të lartcekur me iniciale në cilësi të provave materiale është gjetur dhe sekuestruar: një armë e gjatë AK-47 me një karikator dhe 2 fishekë, si dhe dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë: njëra prej 556 gramëve dhe tjetra qese prej 568 gramëve (në total marihuana e konfiskuar rezulton: 1 kg 154 gram)”, ka njoftuar Policia.

Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit i dyshuari ndalohet për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës./21Media

Back to top button