230 fëmijë helmohen nga ushqimi në një kopsht në Kinë

Autoritetet kineze kanë arrestuar gjashtë persona dhe kanë nisur hetime disiplinore ndaj gati 30 të tjerëve, pasi më shumë se 230 fëmijë të një kopshti në provincën Gansu u helmuan nga ushqimi i ngjyrosur me bojë industriale që përmbante plumb.
Sipas The Guardian, raporti hetimor zbuloi se drejtoresha e kopshtit “Tianshui” kishte urdhëruar përdorimin e ngjyruesit për ta bërë ushqimin më tërheqës, me qëllim rritjen e regjistrimeve. Kuzhinieri kishte blerë online pigment industrial, me përmbajtje plumbi 400,000 herë mbi kufirin e lejuar, edhe pse më parë shkolla kishte përdorur ngjyrues të sigurt e më të lirë.
Fillimisht, 235 fëmijë u shtruan në spital me simptoma si dhimbje barku dhe të vjella. Në total, 247 persona, përfshirë staf dhe fëmijë, rezultuan me nivele të larta plumbi në gjak. Gjashtë punonjës të kopshtit, përfshirë drejtoreshën, janë arrestuar për shërbim të qëllimshëm të ushqimit toksik. Ndaj 27 personave të tjerë – nga shkolla, spitali dhe institucionet shtetërore – janë hapur hetime disiplinore.
Raporti thekson dështime në çdo nivel të reagimit. Autoritetet shëndetësore morën mostra në mënyrë të parregullt, duke ndryshuar rezultatet.
Në Spitalin e Dytë të Popullit në Tianshui, rezultatet e disa fëmijëve u falsifikuan për të treguar nivele më të ulëta plumbi. Spitali u përshkrua si i keqmenaxhuar dhe me staf të patrajnuar. Zyra e arsimit u akuzua se kishte lejuar funksionimin e kopshtit pa licencë dhe pa inspektime për dy vjet, ndërsa zyrtarë të ndryshëm dyshohet se kanë marrë ryshfet nga investitorët e kopshtit.
Fëmijët janë trajtuar, dhe të gjithë, përveç njërit, janë liruar me një ulje mesatare prej 40% të nivelit të plumbit në gjak. Autoritetet lokale kërkuan falje publike për ngjarjen.
Publikimi i raportit u shoqërua me protesta të prindërve jashtë kopshtit në Tianshui. Pamjet treguan përplasje me policinë, përdorim force dhe bllokim të rrugës, ndërsa protestuesit kërkonin përgjegjësi.