Osmani: NATO-ja parandaloi shfarosjen e popullit të Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali u ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, në 24 vjetorin e fillimit të intervenimit të NATO-s, me të cilin iu dha fundi gjenocidit të regjimit gjenocidal të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Osmani theksoi se vullneti i popullit të Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës së perëndimore, botës së lirë, e cila u vu në anën ë duhur të historisë, në anën e së drejtës.

“Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forca jonë ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës’”, theksoi  Osmani.

Më tej, Presidentja theksoi se NATO-ja ia pamundësoi regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës.

“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, është shprehur Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, liria është një guri themeltar i dinjitetit njerëzor.

“Megjithatë, këto vlera nuk janë gjithmonë të lehta për t’u ruajtur. Po jetojmë në një kohë kërcënimesh për të gjithë ne. Prandaj, sërish botës së lirë i duhet unitet kundrejt tiranëve, autoktratëve e diktatorëve. Ne duhet ta dëshmojmë se paqja dhe liria nuk janë ideale të dëshiruara, por realitete të jetuara. Ne e çmojmë kontributin e miqve tanë, ndaj duke ruajtur aleancën me partnerët tanë do ta ruajmë lirinë dhe të ardhmen tonë”, ka theksuar Osmani.

Osmani ka falënderuar gra e burra të shteteve anëtarë të NATO-s, për kontributin e tyre më 1999 për lirinë e Kosovës dhe ka potencuar se secili nga ta gëzon mirënjohjen e thellë e të vazhdueshme të popullit të Kosovës.

24 vjetori i bombardimeve, Osmani bën homazhe te Pllaka e ushtarëve të rënë të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorët e akredituar në Prishtinë, kanë bërë homazhe të premten te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, në 24 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në Kosovë.

Bashkë me Osmanin, homazhe bëri edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadori i Francës, Olivier Guerot, ambasadori i Italisë, Antonello de Riu dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Pas homazheve Osmani dhe as ambasadorët e akredituar në Prishtinë nuk pranuan të deklarohen për media.

Më 24 mars të vitit 1999 kanë filluar bombardimet e NATO-s në Kosovë.

Back to top button