Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan

(Lajm i përditësuar)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan ku u vranë dhjetëra civilë.
“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb vranë e masakruan barbarisht 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan. Sikurse në çdo masakër kudo në Kosovë, synimi i forcave kriminale ishte shfarosja dhe spastrimit etnik i shqiptarëve. Në këtë përvjetor i kujtojmë me dhimbje martirët e këtyre fshatrave dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi. Qoftë i përhershëm kujtimi dhe nderimi për të gjithë të rënët për liri!”, ka shkruar Osmani.
25 vjet nga masakra serbe në Qyshk të Pejës
Sot mbushen 25 vjet nga masakra në Qyshk të Pejës, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 meshkuj.
Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.
Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.
Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë.