26 vjet me RTV21

U bënë 26 vjet punë të suksesshme të Radiotelevizionit 21, i cili numëron gjithsej 7 kanale televizive, radion dhe dy portale, me bazë njërën në Kosovë dhe tjetrën në Maqedoni.

Çdo herë me misionin e informimit të drejtë, të shpejtë dhe të paanshëm, shtëpia mediale 21Media vazhdon punën suksesshëm, duke mbetur mediumi lider në tregun kosovar.

Në tregun medial të Kosovës, Radiotelevizioni 21 u themelua në Prishtinë, në vitin 1998, si medium bashkohor duke iu përgjigjur kërkesave të shoqërisë kosovare për informim të drejtë dhe të plotë.

Radio 21, si radio e parë shqiptare në internet, filloi transmetimin në maj të vitit 1998. Ndërsa, prej janarit të vitit 1999 transmetonte edhe në audio kanalin satelitor të BBC World Service. Në mars të vitit 1999, pas fillimit të bombardimit të NATO-s, forcat paramilitare serbe dëbuan nga Kosova themeluesit dhe punëtorët e Radios 21. Në ekzil, në Maqedoni,

Radio 21 rihapi faqen e vet të internetit në prill të vitit 1999, vetëm 14 ditë pas pezullimit të transmetimit.
Pas vetëm një muaji, saktësisht në maj të vitit 1999, Radios 21 i doli në ndihmë Radio Holanda me bazë në Hillversung afër Amsterdamit. Përmes saj, Radio 21 filloi të transmetojë 2 orë e 30 minuta program ditor nga Shkupi në valët e shkurtëra, duke e mbuluar Evropën dhe më gjerë. Menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, në qershor 1999, themeluesit dhe punëtorët e Radios 21 u kthyen në Kosovë dhe nga Prishtina rifilluan transmetimin në internet si dhe filluan transmetimin tokësor në valët FM, 24 orë në ditë, duke i ofruar audiencës shqiptare informacione të plota, por edhe programe muzikore dhe argëtuese.

Mirëpo, projekti i zgjerimit të kompanisë nuk mbaroi me kaq. Përkundrazi, qysh para ekzilit në Maqedoni, menaxhmenti i Radios 21 kishte zhvilluar vizionin dhe konceptin edhe për hapjen e Televizionit 21. Këtë koncept e mbështetën edhe FONDI BRITANIK PËR ZHVILLIM (DFID) dhe USAID-i amerikan. Prandaj, në shtator të vitit 2000,
Radio 21 mori liçencën kombëtare për transmetim televiziv dhe kështu filloi punën televizioni 21, përkatësisht Radiotelevizioni 21.

Radiotelevizioni 21, fillimisht transmetoi dy orë program origjinal në ditë, ndërsa në shtator të vitit 2001, Radiotelevizioni 21 zgjeroi skemën programore në 18 orë në ditë kurse 50% i programit ishte prodhim vetanak. Shumë shpejt, qysh në vitin 2002, Radiotelevizioni 21 arriti transmetim 24 orë me mbi 70% të programit prodhim vetanak i RTV21. Por, zgjerimi i projektit për ndërtimin dhe shtrirjen e valëve të Radiotelevizionit 21 nuk kishte mbaruar këtu. Menjëherë kishte ardhur projekti për dërgimin e sinjalit të RTV21 në Amerikën e Veriut.

Radiotelevizioni 21 sot vazhdon të jetë medium më i respektuar, me besueshmërinë dhe shikueshmërinë më të lartë te audienca shqiptare në Kosovë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Evropë e deri te diaspora shqiptare në Australi.

Sukseset ndër vite të Radiotelevizionit 21 janë rritur vazhdimisht. Kështu, në shtator të vitit 2007, RTV21 startoi edhe më një program tjetër televiziv, TV 21 PLUS, kanal televiziv me të gjitha zhanret e muzikës zbavitëse. Po të njëjtin vit startoi edhe kanali televiziv, TV 21 POPULLORE, që emeton muzikë popullore të të gjitha gjinive, sidomos programe që promovojnë vlerat e thesarit muzikor me taban kombëtar. Vit pas viti, në kuadër të zhvillimit të pandalshëm, Radiotelevioni 21 hapi edhe dy programe televizive, Televizionin 21 JUNIOR si dhe Televizionin 21 MIX. E para disa vjetësh, startoi një tjetër televizion, TV 21 NEWSBIZ.

Ndërkaq, Portali 21 MEDIA si dhe kanali i RTV21 në Youtube janë nga adresat më të sukseshme ndër mediat shqiptare. Në hap me zhvillimet më të shpejta teknologjike, qysh në vitin 2009, MEDIA 21, themeloi buqetën e parë shqiptare të platformës së IPTV, me një paketë programore ndër më të kërkuarat nga shikuesit shqipfolës në Amerikën e Veriut, Evropë, Lindje të Afërt, Australi e Zelandë të Re.

Por, sukseset e Kompanisë Mediale 21 vazhdojnë… Më 21 shtator të vitit 2015, solemnisht u bë hapja e Televizionit 21 në Maqedoni. Televizioni 21 me seli në Shkup është televizion kombëtar me transmetim në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë. Televizioni 21 në Shkup, vazhdon me idealet e gazetarisë informuese të pavarur sikurse që ishin idealet e themeluesve të kompanisë në fundvitet 1990, duke sjell program informativ dhe argëtues në dy gjuhë.

Televizioni 21 në Shkup është televizioni i shtatë që mbanë logon 21 e që iu bashkohet gjashtë televizioneve me bazë në Prishtinë. Po kështu, janë dy portale, RTV21.TV me bazë në Prishtinë dhe Portali TV21.TV me bazë në Shkup.

Radio Televizioni 21 filloi transmetimet e veta të plota nga objekti i ri më 25 qershor të vitit 2022. Sërish në qendër të Prishtinës, në katet më të larta të objektit Nartel në lagjen Pejton, me pamje fantastike të kryeqytetit kosovar.

Pas presioneve të shumta që RTV21 të lirojë hapësirat, shtëpia jonë mediale arriti që në afat rekord të vendoset në ambiente të reja të standardeve të larta në nivel të mediave prestigjioze botërore. RTV21, po vazhdon të sjell informacion të saktë dhe emisione përmbajtjesorë të fushave të ndryshme.

Back to top button