29 komuna nuk kanë inspektorë të ndërtimit

29 komuna të Maqedonisë së Veriut fare nuk kanë inspektorë të ndërtimit. Ndër to janë edhe komunat si Buteli, Haraçina, Gazi Baba e Çairi. Shtrohet pyetja se kush si jepen lejet e ndërtimit dhe nëse ka ndërtime pa leje, kush del në terren për të inspektuar ato!?
Drejtori i Inspektoratit për Ndërtim dhe Urbanizëm, Fatmir Arifi, thotë se për këto shkelje përgjegjësinë duhet ta mbajnë vetë kryetarët e komunave.
“Këto komuna nëse nuk kanë inspektor të autorizuar nuk guxojnë të ndërtojnë. Nuk guxojnë leje të japin për ndërtim. Janë totalisht të bllokuar. -Kush është përgjegjës për ndërtimet pa leje në fund të fundit? Kryetari i Komunës, udhëheqësit e urbanizmit, inspektorët e komunës të gjithë”, tha Arifi.
Ai shton se kjo çështje mund të rregullohet me centralizimin e Inspektoratit Shtetërorë.
“Kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur institucioni jonë në nivel shtetërorë duhet të centralizohet. Të gjithë inspektorët që janë nëpër komuna të jenë nën kontrollin e Inspektoratit Shtetërorë. Ne ti kontrollojmë dhe ne t’i japim lejet. Në qoftë se ua marrim ingirencat e ndërtimit atëherë edhe financat u merren. Kur ju tregojmë se financat do t’u merren atëherë i bien pishman, thonë se do të gjejnë zgjidhje dhe do të punësojnë inspektor, por nuk gjejnë”, pohoi Arifi.
Megjithëse mungesa e kuadrove nga ky drejtim është arsye për mos pasjen e inspektorëve në komuna, Arifi theksoi se një ndër arsyet kryesore është mosgatishmëria e komunave për të zgjidhur këtë problematikë, për të cilën sipas tij as ata vetë nuk janë në dijeni për pasojat që mund të sjellë e njëjta.
Ndryshe, inspektori i ndërtimit është i vetmi i autorizuar i komunës që ligjërisht guxon të jep lejen e ndërtimit./TV21

Back to top button