SHBA e përkushtuar në avancimin e FSK-së

Gjeneral Rama priti në takim anëtarin e Kongresit amerikan, Steve King

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama priti në takim anëtarin e Kongresit të SHBA-ve, republikanin nga Ajova, Steve King.

Në takimin e përbashkët u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, bashkëpunimin e mirë ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe Ajovës, në veçanti për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve  ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Ushtrisë amerikane në përgjithësi.

Gjeneral Rama, e njoftoi kongresistin për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së si dhe për progresin e saj në aspektin e ndërveprueshmërisë me të gjithë partnerët,  sipas standardeve të NATO-s.

Rama e njoftoi  anëtarin e Kongresit Steve King edhe mbi planet strategjike për zhvillimin e Forcës së Kosovës, konkretisht mbi synimin e shtetit të Kosovës që FSK-ja  të transformohet në Forcë të Armatosur, me mision dhe detyra të mbrojtjes së vendit.

Ai e siguroi kongresistin King se FSK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet, është plotësisht e gatshme për transformim, dhe pret vendimmarrjen politike të institucioneve më të larta të shtetit. Gjithashtu, gjeneral Rama ritheksoi qe i gjithë procesi i transformimi do të jetë transparent dhe në koordinim me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës.

Nga ana e tij, kongresisti amerikan Steve King shprehu gatishmërinë e SHBA-së për ta vazhduar bashkëpunimin e plotë dhe të përkushtuar për Kosovën, me theks të veçantë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së si institucion për të cilin populli i Kosovës ka investuar shumë.

Gjithashtu, kongresisti King shprehu përkushtimin për të lobuar për thellimin e bashkëpunimit  ndërmjet  Ajovës dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët.​/21Media

 

Back to top button