3.8 milionë dollarë shtesë për Kosovën nga ShBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka nënshkruar sot amendamentin 2 të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin Kosova përfiton edhe 3.8 milion dollarë shtesë.

Siç ka njoftuar presidenca, kjo marrëveshje fillimisht ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2020, me të cilën Republika e Kosovës ka përfituar 33 milion dollarë nga USAID-i.  Në maj të këtij viti është nënshkruar amendamenti 1 i marrëveshjes, i cili i siguron Republikës së Kosovës një shtesë të mjeteve financiare në shumën prej 1.6 milion dollarë amerikan. Kurse sot, me amendamentin 2 të kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton edhe 3.8 milion dollarë shtesë, duke e rritur vlerën totale të marrëveshjes në 38.4 milion dollarë.

Me këtë marrëveshje, sipas presidencës, synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet  llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

“Objektivi i parë zhvillimor i marrëveshjes përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Presidentja Osmani ka falënderuar për mbështetjen drejtoren e re të USAID në Kosovë, znj. Zeinah Salahi dhe njëkohësisht e ka uruar për detyrën.

“Osmani ka potencuar rëndësinë e angazhimit të USAID në Republikën e Kosovës në zhvillimin e shoqërisë, si dhe mbështetjen e fuqishme të ShBA-ve ndaj Republikës së Kosovës.”, ka informuar tutje presidenca./21Media

Back to top button