30 nxënës u vaksinuan me një shiringë

Një zyrtar shëndetësor po hetohet për vaksinimin e 30 nxënësve me një shiringë të vetme në shtetin qendror të Indisë, Madhya Pradesh.
Ngjarja ndodhi në një shkollë në distriktin Sagar, ku fëmijëve u jepeshin vaksinat kundër COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë e Indisë mandatoi një protokoll “një gjilpërë, një shiringë, vetëm një herë” për vaksinat COVID-19, përcjell rtv21.tv
Shiringat njëpërdorimshe përdoren gjerësisht në Indi për të shmangur përhapjen e sëmundjeve vdekjeprurëse si HIV. Megjithatë, ka pasur incidente të shumta në të kaluarën ku një shiringë e vetme është ripërdorur në spitale për shkak të mungesës së pajisjeve, raporton BBC
Jitendra Rai, i cili po vaksinonte fëmijët, tha për mediat se atij i ishte dhënë vetëm një shiringë nga departamenti i shëndetësisë dhe ai thjesht po zbatonte urdhrat.
Prindërit që kishin shoqëruar fëmijët e tyre e vunë re këtë çështje dhe e raportuan tek autoritetet e shkollës.
Ndaj Rai, Drejtoria e Shëndetësisë inicioi rastin si pakujdesi. Ndërkohë, nisi një hetim edhe ndaj zyrtarit përgjegjës për dërgimin e pajisjeve për aksionin e vaksinimit.
Një zëdhënës i partisë opozitare të Kongresit, kërkoi që ministri i Shëndetësisë të japë dorëheqjen për incidentin.
India ka administruar mbi 2.03 miliardë vaksina kundër virusit deri më tani./21Media

Back to top button